Handikos mirëpret Gërvallën në Ferizaj, diskutohen sfidat e personave me aftësi të kufizuara

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar Shoqatën e personave me aftësi të kufizuara “Handikos” në Ferizaj, ku u njoftua nga afër me punën, sfidat dhe nevojat e kësaj organizate në ofrimin e shërbimeve rehabilituese dhe mbështetëse për personat me aftësi të kufizuara. Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla theksoi se mbështetja për…

Lajme

19/05/2026 11:01

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar Shoqatën e personave me aftësi të kufizuara “Handikos” në Ferizaj, ku u njoftua nga afër me punën, sfidat dhe nevojat e kësaj organizate në ofrimin e shërbimeve rehabilituese dhe mbështetëse për personat me aftësi të kufizuara.

Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla theksoi se mbështetja për personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të shihet si privilegj apo gjest simbolik, por si pjesë thelbësore e përgjegjësisë shtetërore dhe njerëzore.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale për objektin e ri të Handikos në Ferizaj, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të kushteve dhe shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara.

“Biseduam bashkërisht për rëndësinë e mbështetjes institucionale për objektin e ri të Handikos në Ferizaj dhe për nevojën që personat me aftësi të kufizuara të kenë qasje sa më të mirë në shërbime rehabilituese, sociale dhe mbështetëse. Këto nuk duhet parë vetëm si shërbime, sepse këto janë mundësi për jetë më të dinjitetshme, më të barabartë dhe më të sigurt për shumë qytetarë tanë”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Po ashtu, ajo vlerësoi bashkëpunimin e rëndësishëm ndërmjet Handikos në Ferizaj dhe Shërbimit Sprovues Rajonal, duke theksuar kontributin e tyre në riintegrimin social dhe forcimin e qasjes rehabilituese në shoqëri.

“Shoqëritë e forta dallohen nga mënyra se si kujdesen për secilin qytetar të tyre. Prandaj, mbështetja për personat me aftësi të kufizuara nuk duhet parë si privilegj apo si gjest simbolik, por si pjesë thelbësore e përgjegjësisë sonë shtetërore dhe njerëzore. Republika jonë forcohet atëherë kur çdo qytetar ndjehet i përfshirë, i respektuar dhe i mbështetur me dinjitet të plotë”, përfundoi Ministrja Gërvalla.