Gashani pret krerët e Lojërave Mesdhetare 2030 për të koordinuar projektin madhor

Përgatitjet për ngjarjen më të madhe sportive në historinë e vendit, Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, po hyjnë në një fazë intensive të koordinimit institucional. Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka pritur në një takim zyrtar presidentin e Lojërave Mesdhetare, njëherësh Presidentin e Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, si…

Lajme

18/05/2026 18:03

Përgatitjet për ngjarjen më të madhe sportive në historinë e vendit, Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, po hyjnë në një fazë intensive të koordinimit institucional.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka pritur në një takim zyrtar presidentin e Lojërave Mesdhetare, njëherësh Presidentin e Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), Iakovos Filippousis.

Fokusi kryesor i këtij takimi të nivelit të lartë ishte shqyrtimi i progresit të deritanishëm, me theks të veçantë te projektet e mëdha infrastrukturore që pritet të jetësohen në të gjithë Kosovën, si dhe rëndësia strategjike që ky investim ka për promovimin ndërkombëtar të shtetit.

Gjatë bisedimeve, Gashani rikonfirmoi vullnetin e plotë të qeverisë për të përmbushur të gjitha zotimet, duke vënë në dukje impaktin e përhershëm që ky organizim do të lërë pas:

“Mbetem i përkushtuar maksimalisht, si dhe institucioni që udhëheq, për realizimin me sukses të këtij projekti madhor, duke siguruar se trashëgimia e Lojërave Mesdhetare 2030 do të ketë ndikim afatgjatë në zhvillimin e sportit, rinisë dhe infrastrukturës sportive në tërë Kosovën.”

Vizita e krerëve të ICMG-së në Kosovë dëshmon se monitorimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar po ecën me hapa të sigurt drejt vitit 2030.

Realizimi me sukses i këtij plani infrastrukturor jo vetëm që do ta pozicionojë Prishtinën si një qendër rajonale të sportit, por do t’u sigurojë gjeneratave të reja të sportistëve kosovarë hapësira dhe stadiume të standardeve më të larta evropiane.