“Studentët duhet të përkrahen, derisa të pranohet gjuha shqipe”, albanologët e mbështesin protestën e studentëve në Shkup
Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup të Maqedonisë së Veriut, po vlerësohet si e drejtë nga ana e albanologëve, që u mblodhën në Prishtinë në Javën dedikuar studimeve për gjuhën shqipe. Albanologu Asllan Hamiti, profesor nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup thotë se kërkesa e studentëve për lejimin e provimit të jurisprudencës në…
Lajme
Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup të Maqedonisë së Veriut, po vlerësohet si e drejtë nga ana e albanologëve, që u mblodhën në Prishtinë në Javën dedikuar studimeve për gjuhën shqipe.
Albanologu Asllan Hamiti, profesor nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup thotë se kërkesa e studentëve për lejimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, është legjitime.
“E drejtë njerëzore e çdo njeriu, përkatësisht edhe çdo populli është që të flasë dhe të shkruajë në gjuhën e tij amtare. Prandaj kërkesa e studentëve është shumë e drejtë, është legjitime dhe mendoj se duhet të përkrahet nga të gjithë në mënyrë që ata të kenë të drejtë përveç mbarimit të fakultetit në gjuhën amtare, përkatësisht në gjuhën shqipe, që edhe provimet e fundit t’i japin në gjuhën amtare”, tha Hamiti.
Hamiti ka shtuar se kjo është një përpjekje e qeverisë për të penguar barazinë gjuhësore mes gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase.
“Kjo është një përpjekje për të penguar barazinë gjuhësore që edhe shqipja të jetë një ndër, ose të jetë gjuhë e barabartë me në përdorim zyrtar në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka shtuar ai.
Edhe albanologu Xhafer Beqiraj, që është profesor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren është shprehur se politika maqedonase nuk është e gatshme të pranojë gjuhën shqipe si gjuhë të barabartë në shtetin e tyre.
“Deri më tani, siç është parë, politika e shtetit maqedonas, domethënë, nuk është e gatshme që, si të thuash, ta pranojë gjuhën shqipe si gjuhë të barabartë me gjuhën maqedonase. Dhe kjo është një padrejtësi dhe diskriminim, duke e ditur që, ose duke pasur parasysh që populli shqiptar në Maqedoni arrin diku në 29.5% e më tepër, që përbëjnë, do të thotë, popullatën e Maqedonisë”, ka theksuar Beqiraj.
Sipas tij, duhet këmbëngulur që shqipja të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase.
“Populli shqiptar dhe, po ashtu, edhe studentët që protestojnë atje, kanë plotësisht të drejtë dhe duhet insistuar në çdo kusht që shqipja të zbatohet dhe të jetë e barabartë me maqedonishten”, ka potencuar ai.
Studentët shqiptarë në Shkup kanë protestuar edhe herëve tjera lidhur me këtë problem.