Dukagjini mposht Dritën, fitojnë edhe Malisheva, Llapi e Ballkani
Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e xhiros së 34-të në Superligën e Kosovës në futboll. Dukagjini i Klinës e ka mposhtur Dritën, me rezultat 2-0, duke arkëtuar tri pikë tejet të mëdha në garën për të siguruar ekzistencën në elitën e futbollit kosovar. Besi Iseni dhe Altin Mërlaku shënuan nga një gol për fitoren e…
Sport
Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e xhiros së 34-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Dukagjini i Klinës e ka mposhtur Dritën, me rezultat 2-0, duke arkëtuar tri pikë tejet të mëdha në garën për të siguruar ekzistencën në elitën e futbollit kosovar.
Besi Iseni dhe Altin Mërlaku shënuan nga një gol për fitoren e klinasve të cilët tani kanë 45 pikë dhe ngjitën në pozitën e pestë, kurse, Drita e cila para pak ditësh siguroi titullin e kamponit, ka gjithsej 66 pikë.
Fitore tejet të rëndësishme ka arritur edhe Malisheva, e cila mundi bindshëm Drenicën me rezultat 4-1.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndonëse të dy skuadrat krijuan raste për shënim. Epërsinë për vendasit e solli Assane Diatta në minutën e 55-të me një gol të bukur.
Drenica mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Indrit Prodanit me kartonin e dytë të verdhë, gjë që ia lehtësoi punën Malishevës. Arlind Veliu realizoi për 2-0 në minutën e 78-të, ndërsa Diatta shënoi sërish tre minuta më vonë për golin e tretë. Vetëm një minutë pas kësaj, Xhemail Ibishi vulosi fitoren me golin për 4-0.
Drenica arriti të shënojë vetëm golin e nderit në kohën shtesë.
Pas kësaj fitore, Malisheva mbetet në pozitën e tretë me 56 pikë, ndërsa Drenica renditet e shtata me 44 pikë.
Fitore të madhe ka marrë edhe Llapi që mundu në udhëtim Gjilanin me rezultat 2-1.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, kur Arianit Hasani realizoi një gol të bukur për epërsinë 0-1 pas vetëm tetë minutash lojë.
Gjilani reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin në minutën e 16-të me një supergol të Armend Thaqit nga gjuajtja e lirë. Megjithatë, Hasani doli sërish në skenë duke realizuar golin e dytë personal dhe të fitores për Llapin vetëm gjashtë minuta më vonë.
Me këtë triumf, Llapi siguron së paku pozitën që dërgon në barazh dhe ngjitet në vendin e tetë me 43 pikë, ndërsa Gjilani mbetet i gjashti me 45 pikë.
Pikët e plota këtë fundjavë i ka arkëtuar edhe Ballkani që para tifozëve të saj mundi Prishtinën e Re, me rezultat 3-2, këta të fundit tashmë zyrtarisht bien nga Superliga, derisa Prishtina dhe Ferizaj ndanë pikët duke luajtur baras 3-3.
Kjo është tabela:
