PZAP konfirmon vendimin e KQZ-së, refuzohet certifikmi i listës së koalicionit opozitar serb në Kosovë për zgjedhje

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konfirmuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke refuzuar certifikimin e koalicionit opozitar serb “Bashkë fitojmë” për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Sipas PZAP-së, ankesa e dorëzuar nga ky koalicion ishte e pabazuar dhe nuk kishte argumente të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e KQZ-së. Komisioni…

Lajme

16/05/2026 16:27

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konfirmuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke refuzuar certifikimin e koalicionit opozitar serb “Bashkë fitojmë” për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Sipas PZAP-së, ankesa e dorëzuar nga ky koalicion ishte e pabazuar dhe nuk kishte argumente të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e KQZ-së. Komisioni kishte konstatuar se lista nuk kishte plotësuar kriterin ligjor për të siguruar të paktën 1.000 nënshkrime mbështetëse, transmeton lajmi.net.

Koalicioni “Bashkë fitojmë” përbëhej nga gjashtë subjekte politike serbe opozitare dhe dy iniciativa qytetare: Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, Fytyra e Re, Demokracia Serbe, “Veriu për të Gjithë” dhe “Rrënjët”.

Pavarësisht se dorëzoi 1.087 nënshkrime, PZAP gjeti parregullsi: mungonin numrat e telefonit për 576 persona, ndërsa 80 individë nuk ishin të kontaktueshëm. Disa madje mohuan të kishin nënshkruar. KQZ kishte kërkuar plotësimin e listës brenda afatit, por kërkesa nuk u realizua.

Koalicioni mund të apelojë vendimin në Gjykatën Supreme të Kosovës. Përfaqësuesit e tij e kanë cilësuar situatën si një precedent, duke argumentuar se më parë nuk është kërkuar dorëzimi i numrave të telefonit të të gjithë nënshkruesve. Ata pretendojnë gjithashtu se kanë mbledhur rreth 1.400 nënshkrime.

Për zgjedhjet e 7 qershorit janë certifikuar tri koalicione, 17 parti politike dhe një kandidat i pavarur. Nga partitë serbe, pjesëmarrjen e kanë siguruar Lista Serbe dhe partia e Nenad Rashiqit, “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.

Këto zgjedhje të parakohshme u shpallën pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit në fillim të prillit. Ky është procesi i tretë zgjedhor brenda 18 muajve në Kosovë, pas votimeve të shkurtit dhe dhjetorit 2025./lajmi.net/