“Do ta kishim fituar ligën”, Bernardo Silva tregon se çka po e pengon Cityn që të shpallet kampion sivjet

Bernardo Silva beson se Manchester City do ta kishte mposhtur rivalin Arsenalin në garën për titullin e Premierligës, nëse nuk do të ishte në një të ashtuquajtur “sezon tranzicioni”. Me dy ndeshje të mbetura për t’u luajtur, Arsenali ndodhet pranë titullit të parë kampion pas 22 vitesh, pasi mban një epërsi prej dy pikësh ndaj…

Sport

15/05/2026 16:34

Bernardo Silva beson se Manchester City do ta kishte mposhtur rivalin Arsenalin në garën për titullin e Premierligës, nëse nuk do të ishte në një të ashtuquajtur “sezon tranzicioni”.

Me dy ndeshje të mbetura për t’u luajtur, Arsenali ndodhet pranë titullit të parë kampion pas 22 vitesh, pasi mban një epërsi prej dy pikësh ndaj Manchester Cityt.

“Topçinjtë” do të përballen me Burnleyn dhe Crystal Palacen në dy ndeshjet e fundit, ndërsa City duhet të marrë rezultate pozitive kundër Bournemouthit dhe Aston Villas.

Ka qenë një sezon me ulje-ngritje për skuadrën e Pep Guardiolës, e cila ende mbetet në garë për titullin, pavarësisht se ka qenë pas Arsenalit për pjesën më të madhe të sezonit.

Ndërkohë, Bernardo Silva beson se City do të ishte në rrugë të sigurt drejt një tjetër trofeu të Premierligës nëse “nuk do të kishin bërë kaq shumë gabime” gjatë muajve të fundit.

Duke folur për “The Athletic” në një intervistë të gjerë, Silva nuk u përmbajt në vlerësimin e tij për garën e Arsenalit drejt titullit.

“Ata janë rritur dhe… mirë, është një ekip që ka qenë bashkë prej, sa, pesë vitesh tashmë, kështu që është krejt normale që të piqen pak më shumë dhe të fillojnë të luftojnë për tituj, kështu që, po, të shohim çfarë do të ndodhë,” tha ai.

“Jo, nuk jam i dashuruar [me Arsenalin]. Besoj se rivalët tanë kryesorë ishin Liverpooli, pa asnjë dyshim. Gjithashtu besoj – dhe e di që kjo është shumë subjektive – se nëse nuk do të ishim në një sezon tranzicioni dhe nëse nuk do të kishim bërë kaq shumë gabime, ne do ta kishim fituar këtë ligë”, shtoi ai.

“Nuk po them se do ta kishim fituar lehtë, por do ta kishim fituar këtë ligë,” shtoi mesfushori portugez.

“Prandaj është mjaft zhgënjyese”, tha ai.

Javën e kaluar, Arsenali iu afrua edhe më shumë titullit të ligës pasi një gol i vonshëm nga Leandro Trossard i ndihmoi të siguronin tri pikë në “London Stadium”.

Ishte një ndeshje kontroverse, për të thënë të paktën. Me vetëm disa sekonda të mbetura, dukej sikur “Topçinjtë” kishin pranuar golin e barazimit në minutën e 95-të kur Callum Wilson dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje nga këndi.

Megjithatë, arbitri Chris Kavanagh e anuloi golin e Wilsonit pasi zyrtari i VAR-it, Darren England, rekomandoi një rishikim në monitor.

VAR vendosi se kishte pasur faull ndaj portierit David Raya gjatë aksionit, me pamjet që tregonin se Raya po tërhiqej nga fanella nga Jean-Clair Todibo ndërsa tentonte të dilte në top pas kornerit, ndërkohë që Pablo e kishte shtyrë me krah në qafë.

Silva beson se ishte faull ndaj Rayas, por ka shpjeguar pse situata është “mjaft zhgënjyese”.

“Problemi i vetëm është mungesa e konsistencës nga arbitrat,” tha ai.

“Nuk është vetëm kjo. Është gjithçka që ndodh përreth, kështu që në këtë rast sheh tre ose katër faulle që ndodhin. Është faull, por është mjaft zhgënjyese kur ata lejojnë këtë lloj kontakti në disa raste gjatë sezonit dhe më pas vendosin të mos e lejojnë në një ndeshje të tillë”, shtoi ai.

“Është për të ardhur keq. Premierliga është një produkt kaq i mirë për sa i përket faktit që arbitrat e lënë lojën të rrjedhë dhe nuk ndërhyjnë në çdo duel. E gjithë kjo ndihmon që, sipas mendimit tim, të jetë liga më e mirë në botë”, tha portugezi.

“Por nga ana tjetër, kur sheh çfarë ka ndodhur me goditjet standarde në dy sezonet e fundit, është pak për të ardhur keq të shohësh skuadra që humbin një minutë të tërë në rivënie anësore, goditje dënimi, goditje porte, korne… Nuk do të thosha se kështu duhet të shkojë futbolli”, e mbylli Silva.