Haxhiu e dënon sulmin ndaj Mehanit, kërkon që organet të veprojnë ndaj “personave të përfshirë”

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se e dënon sulmin ndaj zëvendësministrit në detyrë të Financave, Hysni Mehanit, duke thënë se dhuna fizike në jetën publike është “cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë së qytetarëve, i lirisë së veprimit politik dhe i vetë kulturës demokratike”. “Dënoj ashpër sulmin fizik ndaj Hysni Mehanit, zëvendësministër, kandidat…

Lajme

14/05/2026 15:57

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se e dënon sulmin ndaj zëvendësministrit në detyrë të Financave, Hysni Mehanit, duke thënë se dhuna fizike në jetën publike është “cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë së qytetarëve, i lirisë së veprimit politik dhe i vetë kulturës demokratike”.

“Dënoj ashpër sulmin fizik ndaj Hysni Mehanit, zëvendësministër, kandidat për deputet dhe kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj”.

Haxhiu shtoi se “mandati publik nuk është strehë për arrogancë, as mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik”.

Ajo i bëri thirrje organet e rendit të veprojnë ndaj “çdo personi të përfshirë” në këtë incident.

“Ftoj organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë, me profesionalizëm dhe pa asnjë hezitim, në mënyrë që çdo person i përfshirë, të përballet me drejtësinë dhe të japë përgjegjësi para ligjit”.

“Hysni Mehanit i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në angazhimet e tij publike. Familjes së tij, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve u bëj thirrje për përmbajtje, qetësi dhe besim në institucionet e Republikës”.