​Palatova: Plani i Rritjes nuk është thjesht mekanizëm financiar, por transformim i thellë shoqëror

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka paralajmëruar se Kosova mund të humbasë miliona euro nga Bashkimi Evropian për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të parapara në kuadër të “Reform and Groëth Facility” (RGF). Sipas raportit të publikuar nga GLPS, Kosova nuk ka arritur të përfitojë rreth 61.8 milionë euro, pasi marrëveshjet…

Lajme

14/05/2026 15:27

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka paralajmëruar se Kosova mund të humbasë miliona euro nga Bashkimi Evropian për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të parapara në kuadër të “Reform and Groëth Facility” (RGF).

Sipas raportit të publikuar nga GLPS, Kosova nuk ka arritur të përfitojë rreth 61.8 milionë euro, pasi marrëveshjet me BE-në nuk janë ratifikuar në kohë. Raporti paralajmëron gjithashtu se nëse reformat e planifikuara deri në qershor 2025 nuk realizohen deri në qershor 2026, ekziston rreziku që fondet të humbasin përfundimisht.

Në dokument theksohet se kriza politike dhe mungesa e institucioneve funksionale gjatë vitit 2025 kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e reformave, duke bllokuar miratimin e ligjeve kyçe, përfshirë edhe Kodin Civil.

Në këtë kontekst, GLPS organizoi tryezën e diskutimit me temë “Agjenda e reformave të Kosovës: çfarë më pas?, ku janë diskutuar sfidat dhe hapat e ardhshëm të procesit të integrimit evropian dhe Planit të Rritjes së BE-së për Kosovën.

Duke folur në tryezë, Jeton Zulfaj, kryenegociator me BE-në dhe koordinator kombëtar në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, theksoi se procesi i integrimit nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë, por e gjithë shoqërisë.

“Ne kemi qenë ndër vendet e para që kemi mbyllur negociatat me BE-në për reformat e Planit të rritjes dhe patëm arritur të dorëzojmë të parët agjendën e reformave. Dhe nëse Kuvendi do të ishte funksional do të ishim sigurisht të parët për t’i hyrë edhe përmbushjes së hapave. Por, pas vonesave që kishin filluar të grumbulloheshin, më 2 shkurt të këtij viti kemi arritur dy marrëveshje me BE-në: Marrëveshjen për Instrumentin dhe Marrëveshjen për Kredi. Dhe së bashku edhe me caktimin e koordinatorit kombëtar për Instrumentin e Rritjes, është kompletuar korniza ligjore, me ç’rast edhe kemi pranuar parafinancimin në prill me vlerë prej 6.9 milionë euro. Korniza ligjore është përcaktuar dhe në dy nivele po mbahet komunikimi. Unë po marr pjesë në të dy nivelet: edhe në atë politik, edhe në atë teknik, edhe në këto politike që sot kemi të parin. Dhe, nëse nuk gaboj, në muajin që vjen do ta kemi edhe Komitetin Monitorues të përbashkët me Bashkimin Evropian. Kështu do të mbyllet cikli i parë treshkallësh i takimeve. Pakoja e Planit të rritjes për Kosovën ka vlerën prej 882 milionë euro. Dy të tretat e kësaj shume do të duhej të përmbusheshin deri në fund të këtij viti, ose në vlerë diku rreth 590 milionë euro. Me vonesat, të cilat i kemi, sidomos në pakon e ligjeve të cilat nuk arritën me… nuk do të arrijnë të kalojmë ndoshta deri më 30 qershor, për shkak se tashmë dihet që Kuvendi është i shpërndarë. Tashmë rrezikohet një pjesë e tyre, për çka sot edhe do të takohemi me Komisionin dhe Qeverinë, me pjesën e parë të shoqërisë civile, ku marrin pjesë edhe përfaqësuesit e ministrive.”, tha Zulifaj.

Ai shtoi se nëse nuk realizohen afatet, rrezikohet përmbushja e obligimeve financiare të Kosovës ndaj BE-së dhe humbja e një pjese të konsiderueshme të fondeve të Planit të Rritjes.

Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se ndonëse Kosova ishte ndër vendet e para që dorëzoi agjendën e reformave, tani është prapa në zbatim.

“Përmenda që jemi një hap para dhe duhet që të tregoj se ky monitorim është mundësuar nga Bashkimi Evropian. Dhe falënderojmë zyrën e BE-së në Kosovë për të gjithë kontributin që ka dhënë gjatë kohës së procesit të hartimeve të raporteve tona për këtë mbështetje, kurse së fundi është bashkëngjitur edhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur në nivel rajonal. Vërtet përmendët që kemi qenë, e përmendëm edhe ne në fillim, që kemi qenë të parët ose të parat që kemi dorëzuar agjendën e reformave, por tash jemi pothuajse të fundit, ndoshta pak më përpara se Bosnja. Kështu që kjo është një gjë që vërtet është shumë fatkeqe dhe urojmë që për pjesën e mbetur, se u cek edhe vetë që ka një afat të përcaktuar, që Kosova të marrë përsipër implementimin e hapave të mbetur, të paktën të kemi një përfitim substancial për disa reforma që janë të planifikuara për periudhat e ardhshme”, u shpreh Arifi.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha se Plani i Rritjes nuk është thjesht mekanizëm financiar, por transformim i thellë shoqëror.

“Është thelbësore të monitorohet, të mbikëqyret puna e qeverisë, të promovohet transparenca dhe të ndihmohet që reformat, për të cilat qeveritë në gjithë rajonin janë zotuar, të përkthehen në ndryshime reale për njerëzit. Dua gjithashtu të theksoj faktin se Kosova është pjesë e pandashme e kornizës së përgjithshme që Bashkimi Evropian ia ka vënë në dispozicion rajonit për të përshpejtuar reformat dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kosova është në pozitë të barabartë aty dhe po ashtu ka mundësi të barabarta për të avancuar rrugën e integrimit dhe për të përdorur të gjitha mjetet financiare, njësoj si pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo është thelbësore dhe, në fakt, fillimisht Kosova e ka shfrytëzuar këtë shumë mirë dhe ishte ndër vendet prijëse. Tani jemi aty ku jemi: ju e përmendët këtë dhe do të rikthehem edhe unë te kjo çështje. Ajo që kemi parë gjatë muajve të fundit janë dy zhvillime kyçe në kontekstin e Agjendës së Reformave dhe Instrumentit për Reforma dhe Rritje. I pari është ratifikimi i marrëveshjeve të huasë së instrumentit në shkurt nga parlamenti i ri, gjë që na lejoi realisht të hynim në një fazë formale, sepse deri atëherë ne vetëm në mënyrë joformale monitoronim dhe analizonim të gjithë mekanizmin që kemi në zyrën e BE-së në mbështetje të agjendës së reformave dhe reformave të përgjithshme të Kosovës. Pra, deri atëherë po vëzhgonim joformalisht se çfarë po ndodhte dhe si po zhvillohej situata, por tani falë ratifikimit mund të kalojmë drejt fazës formale… (5:10) Mbi 28 milionë euro janë disbursuar drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës edhe 33 milionë euro të tjera janë gati për projekte përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor”,tha Palatova.

Ajo shtoi se sfida kryesore nuk është vetëm Kuvendi, por mungesa e kompromisit politik dhe nevoja për funksionim të plotë institucional.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për shoqërinë Civile (KCSF), Dren Puka, theksoi se procesi i reformave është trajtuar në mënyrë sipërfaqësore dhe shpesh i politizuar.

“Në anën tjetër si shoqëri, përfshirë shoqërinë civile, mendoj që diskutimin në atë momentum për trajtim të mirëfilltë të një instrumenti kaq të rëndësishëm për mbarë vendin tonë dhe rajonin në Bashkimin Evropian e kemi tejkaluar ashtu si shkarazi. Diskutimi kryesor publik ka qenë kryesisht në fajësim të palëve, në kohë parafushate dhe fushate, ku prej ekzagjerimit të disa figurave sa i përket shoqërisë sonë edhe me masat e Bashkimit Evropian nga njëra anë, nga ana tjetër arsyetime dhe shfajsime të plota dhe jo marrja e përgjegjësisë për procesin i cili në këtë rast ishte adresë e qartë realisht te qeveria.Kur erdhi koha me u ballafaquar me ato humbje financiare të vërteta që i patëm si rrjedhojë e masave, kryesisht në fund të vitit të kaluar, ajo temë veç ishte ezauruar dhe na kishin kapluar tema të tjera ditore. Dhe në këtë mënyrë na nuk mundëm me e, fillimisht as me kuptuar se çka ndodhi me planin e rritjes e as me ato humbje që i patëm prej masave.”,u shpreh Puka.

Në tryezë u theksua nevoja për bashkëpunim më të madh institucional dhe përfshirje më të gjerë të shoqërisë civile, në mënyrë që Kosova të shmangë humbjen e fondeve të BE-së dhe të përshpejtojë rrugën e saj drejt integrimit evropian./kp