Vendoset gurthemeli i Parkut Industrial në Frashër, premtohen investime milionëshe
Mbi 30 milionë euro do të investohen në 14 parqe industriale në Kosovë gjatë tri viteve të ardhshme. Kështu tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti me rastin e vendosjes së gurthemelit të Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, projekt ky në vlerë prej afër 1 milion euro. Në këtë ceremoni u tha se synohet…
Lajme
Mbi 30 milionë euro do të investohen në 14 parqe industriale në Kosovë gjatë tri viteve të ardhshme. Kështu tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti me rastin e vendosjes së gurthemelit të Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, projekt ky në vlerë prej afër 1 milion euro. Në këtë ceremoni u tha se synohet krijimi i kushteve më të favorshme për prodhim, investime dhe punësim, me fokus në teknologji, inovacion dhe industri me vlerë të shtuar.
E, sipas Kurtit, investimi në Parkun Industrial në Frashër të Mitrovicës është pjesë e mbështetjes për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe krijimin e kushteve për prodhim dhe punësim.
“Në këtë mënyrë ne po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që ia kemi Mitrovicës, e cila i dha aq shumë zhvillim e kulturë jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë kombit shqiptar. Dhe, tash, ne po ja kthejmë këtë me një investim këtu në Frashër, në shumën e gjithmbarshme prej afër 1 milion euro për këtë park industrial, në të cilin do të mund të vendosen bizneset e ndryshme nga Mitrovica, nga Kosova, por edhe investitorë të huaj, ashtu që të rritet prodhimtaria e të shtohet punësimi”, tha Kurti.
Ai shtoi se qeveria synon të modernizojë infrastrukturën për bizneset prodhuese dhe të ndikojë në rritjen e eksporteve.
“Sa më shumë që bizneset prodhojnë, aq më shumë krijohen kushtet për rritje të eksporteve dhe për zëvendësim të importeve, për përmirësim të bilancit tregtar dhe për progres të gjithëmbarshëm socio-ekonomik. Në tre vitet në vijim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të investojë mbi 30 milionë euro për 14 parqe industriale anembanë Kosovës, sepse dëshirojmë që infrastruktura për bizneset që prodhojnë e punësojnë të jetë sa më moderne. Këtu në Frashër, punimet tashmë kanë nisur dhe po ndërtohet infrastruktura bazike, e pas kësaj infrastrukture themelore do të kemi edhe infrastrukturën tjetër, e cila e modernizon parkun industrial dhe e bën atraktiv për bizneset”, tha Kurti.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se fokusi i qeverisë është rritja e prodhimit vendor dhe zhvillimi i industrive me vlerë të shtuar.
“Ne si qeveri, si ministri, jemi të përcaktuar që të punojmë drejtpërdrejt në përmirësimin e bilancit tregtar, në zëvendësimin e importeve me produkt vendor, por gjithashtu edhe në vendosjen e Kosovës si vend në të cilin ka prodhime me vlerë të shtuar. Prodhime të cilat nuk konkurrojnë me vendet me masë, siç janë ato që bëjnë prodhime në numër të madh të punëtorëve, por ato që kanë vlerën e shtuar. Prandaj edhe parashihet që në këtë park të ketë kompani prodhuese të cilat janë në fushën e teknologjisë, në fushën e inovacionit dhe teknologji e inovacion ka në të gjithë spektrin industrial, por gjithashtu edhe ato të shtojmë tashmë edhe komponentën e ekonomisë së pastër”, tha ajo.
Se komuna synon të krijojë kushte më të favorshme për investitorët dhe bizneset tha i pari i Mitrovicës, Faton Peci.
“Zotimi im si i pari i Mitrovicës ka qenë edhe është në baza ditore, që të krijojmë kushte dhe rrethana më të favorshme të bërit biznes, duke filluar nga mundësitë infrastrukturore dhe hapësirat fizike ose ndarja e parcelave që është njëra prej kërkesave të para të secilit investitor ose afarist që dëshiron që ta rrisë kapacitetin ose që të vijë në Kosovë për të investu. E, Mitrovica si komunë, në këtë fazë dhe me përkrahjen e pa rezervë të qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministrit dhe ministrave, vartësve të tij, e ka mundësinë ideale që të transformohet në njërën prej qyteteve më të zhvilluara sikurse ka qenë në të kaluarën. Aktualisht trendet dhe niveli i zhvillimit të komunës tonë nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm, ambicia jonë është që të vazhdojmë”, tha ai.
Ceremonia e inaugurimit të punimeve dhe vendosjes së gurthemelit të Parkut Industrial u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.