Rritet numri i shoferëve që mbesin pa patentë në Kosovë, mbi 90 mijë kundërvajtje me pikë negative për 16 muaj
Mbi 16 mijë qytetarëve u është ndaluar drejtimi i automjetit gjatë vitit të kaluar në Kosovë, si pasojë e kundërvajtjeve në trafik që parashohin pikë negative. Kështu kanë bërë të ditur për lajmi.net nga Policia e Kosovës, të cilët kanë dhënë detaje lidhur me marrjen e patentë-shoferëve dhe kundërvajtjet në komunikacion. Sipas të dhënave zyrtare…
Lajme
Mbi 16 mijë qytetarëve u është ndaluar drejtimi i automjetit gjatë vitit të kaluar në Kosovë, si pasojë e kundërvajtjeve në trafik që parashohin pikë negative.
Kështu kanë bërë të ditur për lajmi.net nga Policia e Kosovës, të cilët kanë dhënë detaje lidhur me marrjen e patentë-shoferëve dhe kundërvajtjet në komunikacion.
Sipas të dhënave zyrtare të dërguara për lajmi.net, gjatë periudhës janar-dhjetor 2025 janë shqiptuar gjithsej 65 mijë e 853 kundërvajtje për të cilat janë paraparë pikë negative.
Në të njëjtën periudhë, Policia e Kosovës ka shqiptuar 16 mijë e 422 masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve me veprim motorik.
Ndërkaq, vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, janë evidentuar 24 mijë e 250 kundërvajtje që bartin pikë negative, ndërsa 6 mijë e 259 shoferëve u është ndaluar drejtimi i automjetit, shkruan lajmi.net.

Sistemi i pikëve negative zbatohet për kundërvajtje të ndryshme në trafik, ndërsa në rast të grumbullimit të numrit të caktuar të pikëve, shoferit i merret patentë-shoferi dhe i ndalohet drejtimi i automjetit për një periudhë të caktuar.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë sqarime shtesë lidhur me numrin e saktë të pikëve negative që çojnë në konfiskimin e patentë-shoferit.
Megjithatë, autoritetet vazhdimisht kanë apeluar tek shoferët për respektim të rregullave në trafik, duke theksuar se tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes, mosvendosja e rripit të sigurisë dhe ngasja nën ndikimin e alkoolit mbeten ndër shkeljet më të shpeshta që ndëshkohen me pikë negative.
Shifrat tregojnë se mijëra shoferë në Kosovë vazhdojnë të bien ndesh me rregullat e trafikut, derisa institucionet e sigurisë rrugore po paralajmërojnë kontrolle dhe masa më të ashpra ndaj kundërvajtësve.
Në rrugët e Kosovës vazhdimisht shohim numër të madh të automjeteve, e numër të madh të shoferëve por që shumë prej tyre duke thyer rregullat e parapara në trafik.
E probleme të shumta shpesh herë janë shfaqur edhe në mënyrën se si pajisen me patentë-shoferë këta drejtues të automjeteve.
Madje pikërisht mbi këto dyshime për manipulime të shumta e dallavere të ndryshme në marrjen e patentë-shoferëve në disa raste ka pasur të arrestuar.
E një rast i ngjashëm para pak ditëve u raportua në Pejë, ku 12 persona janë arrestuar nën dyshimin se i bën pjesë të testimeve njerëzit që në fakt nuk ishin paraqitur fare për testim, njerëz që hynin për tjetër kënd në test e mënyra të ndryshme ku përmes ryshfetit kryenin testimet për të tjerët.
Të gjitha këto paraqesin edhe rreziqet që shumë prej drejtuesve të automjeteve drejtojnë ato mbi marrjen e patentë-shoferëve në mënyra anti-ligjore.
Policia e Kosovës në dy vitet e fundit ka ndryshuar shumë prej gjobave të cilat parashihen në trafik, duke i shtrentjuar ato në mënyrë që qytetarët të bëjnë sa më pak shkelje në trafik, e që të mos rrezikohen as pjesëmarrësit në vozitje dhe as këmbësorët./Lajmi.net/