Punësimet në Gjilan: Auditori zbulon kontrata të jashtëligjshme dhe anashkalim të konkursit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar një sërë parregullsish në Komunën e Gjilanit, ndërsa një nga shkeljet më serioze lidhet me angazhimin e punëtorëve me kontrata për shërbime të veçanta në kundërshtim me procedurat ligjore. Sipas raportit të auditimit për vitin 2025, Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga Alban Hyseni, kishte angazhuar pesë persona me…

Lajme

14/05/2026 10:31

Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar një sërë parregullsish në Komunën e Gjilanit, ndërsa një nga shkeljet më serioze lidhet me angazhimin e punëtorëve me kontrata për shërbime të veçanta në kundërshtim me procedurat ligjore.

Sipas raportit të auditimit për vitin 2025, Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga Alban Hyseni, kishte angazhuar pesë persona me kontrata për shërbime të veçanta, megjithëse pozitat e tyre kishin të bënin me detyra të rregullta dhe jo me shërbime specifike apo profesionale siç kërkohet me ligj.

Auditori ka konstatuar se këto angazhime ishin bërë pa zhvilluar procedura të rregullta rekrutimi dhe pa konkurrencë të hapur, duke anashkaluar parimet e transparencës dhe barazisë në punësim. Sipas ZKA-së, kontratat për shërbime të veçanta janë përdorur për pozita që lidhen me funksione të zakonshme administrative dhe operative të komunës, çka konsiderohet keqpërdorim i kësaj forme të angazhimit.

Raporti thekson se përdorimi i kontratave të tilla krijon rrezik për favorizime dhe shmangie të procedurave ligjore të punësimit në sektorin publik.

Përveç kësaj, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar edhe shkelje të tjera financiare dhe procedurale në komunë, përfshirë klasifikim të gabuar të shpenzimeve në vlerë prej 3.7 milionë eurosh, mosregjistrim të pasurive komunale në vlerë prej 1.7 milion eurosh dhe pagesa me vonesa ndaj operatorëve ekonomikë.

Auditori ka gjetur gjithashtu se komuna kishte iniciuar projekte kapitale pa projekte detale ekzekutive dhe kishte bërë ndryshime në ndarjet buxhetore pa miratimin e Kuvendit Komunal.