AGK reagon ndaj emërimit të Rilind Gërvallës në RTK: Transmetuesi Publik po shndërrohet në organ propagandues
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas emërimit të Rilind Gërvalla si ushtrues detyre i drejtorit në RTK1, RTK2 dhe RTK3 nga Bordi i Radio Televizioni i Kosovës. Në reagimin e përbashkët me Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe aktivisten Flutura Kusari, AGK-ja ka shprehur zhgënjim për këtë vendim, duke thënë se…
Lajme
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas emërimit të Rilind Gërvalla si ushtrues detyre i drejtorit në RTK1, RTK2 dhe RTK3 nga Bordi i Radio Televizioni i Kosovës.
Në reagimin e përbashkët me Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe aktivisten Flutura Kusari, AGK-ja ka shprehur zhgënjim për këtë vendim, duke thënë se RTK-ja duhet të drejtohet nga persona me integritet të pakontestuar dhe të pavarur politikisht.
Sipas reagimit, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Zana Spahiu, dhe Bordi i RTK-së është dashur të propozonin një person që garanton pavarësinë e transmetuesit publik.
AGK-ja ka theksuar se Gërvalla, të cilin e përshkruan si ish-aktivist dhe financues të Lëvizja Vetëvendosje, nuk garanton standardet e nevojshme të pavarësisë për RTK-në.
“Nën udhëheqjen e zotit Gërvalla dhe U.D të Drejtorit të Përgjithshëm, Hysen Hundozi, RTK-ja është shndërruar në organ propagandues të Qeverisë dhe Vetëvendosjes”, thuhet në reagim.
Organizatat kanë rikujtuar edhe rastin e transmetimit të lajmit të rremë ndaj dy mediave kosovare, të marrë nga mediumi “Slobodna Bosna”, për të cilin sipas tyre nuk është mbajtur askush përgjegjës.
Në reagim po ashtu shprehet shqetësimi për largimin e disa emisioneve nga skema programore dhe për largimin e disa gazetarëve nga ekrani, pa miratim të Bordit të RTK-së.
AGK dhe organizatat tjera vlerësojnë se vazhdimi i Gërvallës në këtë pozitë dërgon sinjal se edhe Bordi i ri i RTK-së nuk ka interes ta mbajë transmetuesin publik të pavarur nga politika. /Lajmi.net/