Supremja shfuqizon tarifën prej 3 eurosh për shoqëruesit e pacientëve në QKUK
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr.03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore, duke vlerësuar si të kundërligjshme tarifën prej 3 eurosh për personat shoqërues të pacientëve në spitale. Vendimi është marrë në çështjen juridike të konfliktit administrativ të iniciuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Ministria…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr.03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore, duke vlerësuar si të kundërligjshme tarifën prej 3 eurosh për personat shoqërues të pacientëve në spitale.
Vendimi është marrë në çështjen juridike të konfliktit administrativ të iniciuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Ministria e Shëndetësisë.
Sipas aktgjykimit, Gjykata Supreme ka aprovuar si të bazuar padinë e IKD-së dhe ka shfuqizuar pikën 4 të shtojcës 3 dhe pikën 5 të shtojcës 4 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2024 – “Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore”.
IKD kishte kontestuar dispozitat përmes të cilave ishte përcaktuar pagesa prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15-vjeçare, shkruan lajmi.net.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se Ligji për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si pagesë për shërbime shëndetësore nga personat që i marrin ato shërbime, ndërsa personat shoqërues nuk mund të konsiderohen përfitues të kujdesit shëndetësor.
Sipas Gjykatës, prania e familjarëve në institucione shëndetësore lidhet me mbështetjen ndaj pacientëve dhe jo me marrjen e shërbimeve mjekësore.
Gjykata Supreme po ashtu ka konstatuar se Ministria e Shëndetësisë ka tejkaluar autorizimet ligjore duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit.
Në aktgjykim theksohet se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo obligime financiare që nuk parashihen me ligj. /Lajmi.net/