Nga rinumërimi te rikandidimi: Emrat e përfolur për manipulim votash sërish në lista zgjedhore

Partitë më të mëdha politike në vend kanë rikandiduar për deputetë persona emrat e të cilëve ishin përmendur në procesin e manipulimit të votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke nxitur reagime dhe kritika të shumta në opinionin publik. Procesi i rinumërimit të pjesshëm të votave në disa komuna të Kosovës kishte zbuluar mospërputhje…

Lajme

13/05/2026 18:31

Partitë më të mëdha politike në vend kanë rikandiduar për deputetë persona emrat e të cilëve ishin përmendur në procesin e manipulimit të votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke nxitur reagime dhe kritika të shumta në opinionin publik.

Procesi i rinumërimit të pjesshëm të votave në disa komuna të Kosovës kishte zbuluar mospërputhje të konsiderueshme në rezultatet e kandidatëve brenda subjekteve politike. Edhe pse këto parregullsi nuk kishin ndikuar në përqindjen përfundimtare të partive politike, ato kishin ndryshuar numrin e votave të kandidatëve për deputetë.

Një nga komunat ku u evidentuan mospërputhjet më të mëdha ishte Prizren. Pas dyshimeve për manipulim të votave, organet e drejtësisë kishin nisur hetime, ndërsa dhjetëra komisionerë dhe vëzhgues të procesit zgjedhor ishin arrestuar, shkruan lajmi.net.

Pas rinumërimit të votave, ish-kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fetah Paçarizi, iu ishin hequr 5 mijë 945 vota. Procesi i rinumërimit kishte evidentuar manipulime edhe te kandidatë te Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndonëse PDK-ja nuk e ka rikandiduar Paçarizin dhe disa emra të tjerë të përfolur në këtë proces, në listën për deputetë ka përfshirë Nait Hasani, emri i të cilit po ashtu ishte përmendur në raportimet për manipulim votash në zgjedhjet e kaluara.

Në këtë rast ishte arrestuar edhe djali i Hasanit, nën dyshimin për manipulim të votave në Prizren.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka rikandiduar emra që ishin përfolur në procesin e manipulimit të votave. Njëri prej tyre është Anton Quni, i cili në zgjedhjet e 7 qershorit garon me numrin 10.

Ndërkohë, as Lëvizja Vetëvendosje nuk është distancuar nga kandidatët e përfshirë në raportimet për manipulim votash. Partia e Albin Kurti ka rikandiduar Arbër Rexhaj, të cilit gjatë procesit të rinumërimit iu ishin hequr rreth 600 vota.

Procesi i rinumërimit kishte rezultuar me heqje votash edhe për ish-deputetët Ejup Maqedonci dhe Valon Hoti.

Përfshirja e këtyre emrave në listat zgjedhore është kritikuar nga analisti Ilir Deda, i cili ka thënë se partitë politike nuk mund të flasin për shtet ligjor dhe drejtësi, derisa rikandidojnë persona të përfolur për manipulim të votës.

“PDK, LDK e LVV i rikandidojnë njerëzit që kanë manipulu me vota me 28 dhjetor. Aman mos flisni për shtet ligjor e drejtësi kur të kundërtën po e bëni ju vetë”, ka shkruar Deda në Facebook.

Pakënaqësi lidhur me listën e PDK-së ka shprehur edhe kryetari i Prizren, Shaqir Totaj.

Ai ka deklaruar se dega e PDK-së në Prizren kishte reflektuar pas skandalit të manipulimit të votave dhe nuk kishte propozuar asnjë kandidat emri i të cilit ishte përmendur në atë proces.

Sipas Totajt, disa nga personat e përfshirë ishin tërhequr publikisht nga gara deri në përfundimin e procesit ligjor, por ai la të kuptohet se Kryesia qendrore e PDK-së nuk e ka respektuar plotësisht këtë qëndrim gjatë përpilimit të listës finale për deputetë. /Lajmi.net/