Kosova po hyn zyrtarisht në garën për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, pasi partitë më të mëdha politike në vend tashmë kanë publikuar listat e kandidatëve për deputetë.
Këto zgjedhje vijnë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të vendit, duke e çuar Kosovën në zgjedhjet e treta parlamentare brenda më pak se dy viteve.
Në listat e publikuara nga partitë parlamentare shqiptare vërehen ndryshime të shumta, sidomos në dhjetëshen kryesore të kandidatëve, ku ka emra të rinj, rikthime të figurave të njohura politike dhe riorganizime të brendshme partiake, shkruan lajmi.net.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ishte partia e parë që publikoi listën e saj. Bartës i listës është Ardian Gjini, i pasuar nga Besnik Tahiri dhe Time Kadrijaj, ndërsa lideri i partisë Ramush Haradinaj do të garojë me numrin 11.
Në top-10 të AAK-së janë edhe emra si Bekë Berisha, Burim Ramadani dhe Agim Çeku.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka sjellë ndryshime të rëndësishme në listë. Bartëse e listës është vendosur Vjosa Osmani, ndërsa pas saj renditet kryetari i partisë Lumir Abdixhiku.
Në mesin e dhjetë kandidatëve të parë të LDK-së janë edhe Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri dhe Anton Quni.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje hyn në këto zgjedhje me një top-10 të ndryshuar pas largimeve nga lista Guxo. Bartës i listës është kryeministri Albin Kurti, i ndjekur nga Glauk Konjufca dhe Donika Gërvalla-Schwarz.
Në mesin e emrave kryesorë të LVV-së janë edhe Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla dhe Mimoza Kusari-Lila.
Listën e plotë të kandidatëve e publikoi sot edhe Partia Demokratike e Kosovës, ku bartës i listës është Bedri Hamza.
Pas Hamzës renditen Uran Ismaili, Vlora Çitaku dhe Përparim Gruda. Në top-10 të PDK-së përfshihen edhe Rrahman Rama, Arben Mustafa dhe Enver Hoxhaj.
Publikimi i listave tashmë ka intensifikuar atmosferën parazgjedhore në vend, ndërsa partitë politike pritet që në ditët në vijim të prezantojnë edhe programet dhe zotimet e tyre për qytetarët. /Lajmi.net/