Haxhiu: S’është e drejtë që deputetët të marrin pagë kalimtare
Pas dështimit të mbledhjes së sotme të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryetarja Albulena Haxhiu, është pyetur për çështjen e pagave kalimtare të cilat po i marrin deputetët e legjislaturës së fundit. Haxhiu tha se për këtë çështje tashmë ka një ligj, por sipas saj, nuk ka kuptim që një deputet të mos jetë as…
Lajme
Pas dështimit të mbledhjes së sotme të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryetarja Albulena Haxhiu, është pyetur për çështjen e pagave kalimtare të cilat po i marrin deputetët e legjislaturës së fundit.
Haxhiu tha se për këtë çështje tashmë ka një ligj, por sipas saj, nuk ka kuptim që një deputet të mos jetë as 6 muaj deputet dhe në anën tjetër të marrë pagë kalimtare.
“Jam shumë e gatshme në të ardhmen që nëse ka iniciativa që dëshirojnë t’i ndryshojnë këto rregullime ligjore që ne i kemi gjetur prej kohësh këtu, jemi shumë të hapur t’i diskutojmë. Mund të marrim praktika të ligjeve të tjera. Nëse si kryetare e kuvendit nuk je në këtë mandat për më shumë se 6 muaj, nuk mund t’i gëzosh privilegjet e kryetarit të kuvendit, por jo kështu. Ta zëmë, një muaj ke qenë deputet mandej pagën kalimtare e merr për një vit. Mendoj që kjo nuk është e drejtë por është e bazuar në legjislacionin në fuqi”, tha ajo.
Ajo tutje foli edhe për lëvizjet e fundit politike, ku disa ish-deputetë të Listës Guxo, në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojnë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Haxhiu tha se janë qytetarët e Kosovës ata që do t’i vlerësojnë veprimet e partive politike ose të individëve brenda partive politike.
“Tani, ne kemi një ditë të zgjedhjeve, pra jemi në një proces zgjedhor. Prandaj, janë qytetarët e Kosovës ata që do t’i vlerësojnë veprimet e partive politike ose të individëve brenda partive politike. Njësoj ka ndodhur edhe në dhjetor të vitit 2025, njësoj do të ndodhë edhe më 7 qershor të vitit 2026. Meqenëse jemi në prag të këtyre zgjedhjeve, më së miri do të flasin qytetarët dhe më së miri ata i gjykojnë veprimet tona politike”, tha ajo.