Arbër Havolli deklarohet i pafajshëm për vrasjen në Llapashticë të Podujevës, e pranon fajin për armëmbajtje pa leje
Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arbër Havolli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e 6 shtatorit 2025 në Llapashticë të Epërme në Podujevë. Ai e pranoi fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”. “Më së pari mua më vjen keq për rastin që ka ndodh. S’kam dashtë me ndodh kjo,…
Lajme
Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arbër Havolli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e 6 shtatorit 2025 në Llapashticë të Epërme në Podujevë. Ai e pranoi fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.
“Më së pari mua më vjen keq për rastin që ka ndodh. S’kam dashtë me ndodh kjo, i kërkoj familjes falje. Për akuzën e parë (veprën penale Vrasje) s’e pranoj fajësinë. Për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë”, tha Havolli.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Havolli e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Gjonbalaj deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit për pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, meqenëse pranimi është bërë konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe në përputhshmëri me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës,
Po ashtua, prokurorja i propozoi Gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor për këtë vepër penale dhe ta dënojë sipas ligjit.
Deklarimin e Havollit rreth fajësisë për armëmbajtje pa leje e mbështeti edhe mbrojtësi i tij, avokati Bekim Sfishta.
Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Alban Ajvazi miratoi pranimin e fajësisë sa i përket veprës penale në pikën II të aktakuzës, me arsyetimin se përputhet me provat që gjenden në shkresat e lëndës, kurse shpallja për këtë vepër penale do të bëhet në fund të gjykimit.
Sa i përket veprës penale “Vrasje”, për të cilën i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Ajvazi njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.