Takim zyrtar në Prishtinë: Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë riafirmojnë partneritetin
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga stafi i lartë menaxhues, ka pritur sot në një takim zyrtar Drejtorin e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Drejtues Madhor Skender Hita, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë policorë shqiptarë. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit…
Lajme
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga stafi i lartë menaxhues, ka pritur sot në një takim zyrtar Drejtorin e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Drejtues Madhor Skender Hita, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë policorë shqiptarë. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Gjatë takimit, kolonel Hoxha uroi mirëseardhjen drejtorit Hita dhe vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve policore, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit për sigurinë e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik. Ai prezantoi gjithashtu prioritetet strategjike dhe aktivitetet operative të Policisë së Kosovës, duke nënvizuar përkushtimin në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, transmeton lajmi.net.
Në takim u vlerësuan kapacitetet profesionale të Policisë së Kosovës për përballimin e sfidave të sigurisë, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, krimit transkufitar dhe dukurive të tjera që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. U theksua gjithashtu se bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë ka dhënë rezultate konkrete në shkëmbimin e informacionit, hetime dhe operacione të përbashkëta, si dhe menaxhimin e sigurisë kufitare.
Nga ana e tij, Drejtues Madhor Skender Hita falënderoi kolonel Hoxhën për mikpritjen dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Policisë së Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke synuar garantimin e sigurisë për qytetarët e të dy vendeve.
Takimi përfundoi me zotimin e përbashkët të dy institucioneve për avancimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.
Postimi i plotë: