Dëshmitarja e ZPS-së: Disa interpretime të tingujve shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitarja e mbrojtjes së Hashim Thaçit, ekspertja Helen Fraser në gjykimin në të cilin Thaçi akuzohet së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Gjatë kundërpyetjeve të prokurorit Joshua Hafetz, dëshmitarja Fraser tha se disa interpretime që u janë bërë tingujve në transkriptat e Prokurorisë shkojnë përtej asaj që…

Lajme

12/05/2026 11:53

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitarja e mbrojtjes së Hashim Thaçit, ekspertja Helen Fraser në gjykimin në të cilin Thaçi akuzohet së bashku me Bashkim SmakajnIsni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjatë kundërpyetjeve të prokurorit Joshua Hafetz, dëshmitarja Fraser tha se disa interpretime që u janë bërë tingujve në transkriptat e Prokurorisë shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme.

“Unë besoj që disa nga komentet që janë bërë për shembull; persona që hyjnë e dalin nga dhoma- interpretimi që iu është bërë disa tingujve shkon përtej asaj që është objektivisht e transmetueshme nga një audio”, tha ajo.

Përpara kësaj, pyetjet prokurori i nisi duke thënë se Fraser në raport thotë se transkriptat përmbajnë shumë komente kontestuese lidhur me personat që hyjnë dhe dalin nga dhoma, interpretim të tingujve të ndryshëm si fëshfërima të letrave apo tinguj të kthimit të faqeve dhe të gjitha këto shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme nga vetë audio.

Ndërsa, për sa i takon zhurmës së letrës për të cilën ka shkruar ekspertja në raportin e saj, Hafetz pyeti se kjo pjesë a pajtohet se nuk vlen dhe është e pasaktë.

Por, në pyetje paqartësi pati ekspertja dhe prokurori vazhdoi me sqarim ndërkohë që përgjigja e Fraser ishte se është dakord me atë që ka shkruar në atë paragraf.

“Nuk e kuptoj këtë. Mbase unë po keqkuptoj. Nuk mund të them që nuk jam dakord me këtë që kam shkruar në paragrafin e fundit”, tha ajo.

Veç kësaj, sa i përket zhurmës së letrave për të cilën flet transkripta e Prokurorisë, Fraser tha se është e paqartë se nga e dinin përkthyesit e ZPS-së që po ktheheshin faqet, pra si e kanë dalluar.

“Unë e kuptoj ku është keqkuptimi. Unë këtu kam dashur t’i referohem që kam thënë që mund të ketë pasur zhurmë që është kthimi i faqeve apo zhurmë letrash por ka qenë e paqartë nga ta dinë këta persona që ktheheshin faqet, që ktheheshin fletët, si e kanë dalluar këtë gjë”, tha ajo.

Më pas, prokurori pyeti se a është duke thënë dëshmitarja që nuk mund të transkriptohet tingulli si tingull i kthimit të fletëve.

“Është çështje tek terminologjia që disa tinguj janë objektivisht të transkriptueshëm dhe disa jo. Mendoj që është  e vështirë të kuptohet se çfarë është vërtetë të transkriptohet në mënyrë objektive nga një audio. Koncepti në vetvete është i vështirë”, tha ajo.

Fraser shtoi se për këtë pjesë ka thënë që shkon përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme dhe jo që është objektivisht e transkriptueshme.

“Unë besoj që disa nga komentet që janë bërë për shembull; persona që hyjnë e dalin nga dhoma- interpretimi që iu ësht ëbërë disa tingujve shkon përtej asaj që është objektivisht e transmetueshme nga një audio”, tha ajo.

Ndërsa, kur u pyet se a qëndron edhe kjo për zhurmën e letrës, Fraser u përgjigj se nëse dëgjon një fëshfërimë si mund të dihet që është tingull i një letre apo një zhurme tjetër.

Pas kësaj, Fraser u pyet se a mendon që transkriptuesit e ZPS-së e kanë shënuar në transkriptë tingullin e zhurmës së letrës siç e kanë dëgjuar dhe kanë qenë objektiv. Ajo u përgjigj me po.

Të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës./BetimipërDrejtësi