“S’kishte agjendë serioze qeverisëse”, Mustafa me kritika ndaj shumicës parlamentare

Arben Mustafa, ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se nga fillimi i Legjislaturës së X-të, shumica parlamentare e ka pasur synim përgatitjet për zgjedhje të reja sesa që ka pasur një agjendë serioze legjislative apo qeverisëse. “I kishim të njëjtat premtime që…

Lajme

12/05/2026 11:45

Arben Mustafa, ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se nga fillimi i Legjislaturës së X-të, shumica parlamentare e ka pasur synim përgatitjet për zgjedhje të reja sesa që ka pasur një agjendë serioze legjislative apo qeverisëse.

“I kishim të njëjtat premtime që ishin dhanë edhe para gjashtë viteve dhe në atë ekspoze paraqiteshin sikur premtime të reja pa dhanë asnjë llogari se çka është bë këto gjashtë vjet që nuk është realizuar të paktën ndonjëra prej tyre”, u shpreh ai.

Tutje, Mustafa shtoi se Kryeministri Kurti atë ditë kur paraqiti këtë ekspoze foli sikur po dilte për herë të parë dhe po paraqiste vizionin e tij si kryeministër.

“Pra, pa dhënë asnjë llogari, asnjë përgjigje pse nuk është realizuar të paktën një nga ato projektet e mëdha, u prezantoheshin aty sikur të ishte një vizion i ri dhe kjo ishte joserioze”, shtoi ai.

Mustafa tha se kishte shkëputje mes asaj që tha Kurti në ekspoze dhe buxhetit që e solli në Kuvend.

“Asnjë nga premtimet e mëdha që u paraqitën në ekspoze, nuk ishin të buxhetuara. Pra, kishim një shkëputje totale mes asaj që paraqiti Kryeministri në ekspoze dhe buxhetit që e solli në Kuvend për votim”, ka theksuar ai.

Lidhur me debatin në Kuvend, ai tha se pushteti ka parë Kuvendin si makineri dhe  nuk e kanë parë rolin e deputetëve në Kuvendc duke shtuar se shumë ligje sikur si për shëndetësinë, çmimet tavan, i kanë kaluar pa pasur debat parlamentar.

“Asnjë mundësi nuk iu është dhënë deputetëve për të ushtruar rolin e tyre”, ka thënë Mustafa.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën organizoi konferencë diskutimi me temën: “Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës: Sfidat, krizat dhe mësimet për të ardhmen”, në kuadër të së cilës u publikua raporti monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Kosovës.