Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion simbolik në sheshin e Prishtinës, pranë objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit, ku kryetari i saj Dardan Molliqaj ka hedhur kritika të ashpra ndaj partive opozitare dhe afrimit politik mes Vjosa Osmani dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Molliqaj deklaroi se opozita po hyn në zgjedhjet e 7 qershorit vetëm për të siguruar më shumë deputetë dhe më shumë pushtet në qeverinë e ardhshme.
“Këto parti opozitare po shkojnë në këto zgjedhje me një qëllim shumë të thjeshtë, por shumë të padobishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës: po garojnë për pak më shumë deputetë që me pasë pak më shumë hise në qeverinë e ardhshme”, tha ai, shkruan lajmi.net.
Kreu i PSD-së e quajti “mashtrim të madh publik” rikthimin e Osmanit në LDK, duke pretenduar se ajo nuk është rikthyer realisht në parti.
“Vjosa Osmani nuk është kthyer fare në LDK. Po e përdor LDK-në si trampolinë për potencialisht ndonjë pozitë të ardhshme në institucionet e Kosovës”, deklaroi Molliqaj.
Ai shtoi se afrimi i Osmanit me LDK-në më shumë i ngjan simbolikës së “kalit të Trojës”, duke pretenduar se kjo lëvizje po shkakton ndarje të reja brenda partisë.
“LDK-ja më shumë sesa po bashkohet, po ndahet rishtazi. Ky bashkim është lidhje puro e interesit për pozita të dy individëve që e kanë kapur këtë parti”, u shpreh ai.
Molliqaj tha se Kosovës i mungon opozita reale dhe akuzoi partitë opozitare se për vite me radhë i kanë shërbyer pushtetit aktual.
“Kosova vuan që pesë vjet s’ka opozitë. Kosova nuk duhet të rizgjedhë njerëz të cilët kanë plane vetëm për pozitat e veta”, deklaroi lideri i PSD-së. /Lajmi.net/