Një kamion i një kompanie në Vushtrri dyshohet se është dëmtuar nga shpërthimi i një granate dore.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar të hënën në rrugën “Ajet Gërguri”, ku menaxheri i kompanisë ka njoftuar autoritetet për dëmtimin e automjetit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë për deminim të Policisë së Kosovës, të cilat pas ekzaminimit kanë vlerësuar se dëmtimi i kamionit është i vjetër dhe dyshohet të jetë shkaktuar nga shpërthimi i një granate dore.
“Ankuesi mashkull kosovar, menaxher i një kompanie, ka informuar se një kamion është i dëmtuar nga një mjet shpërthyes. Njësia për deminim e PK-së ka dalë në vendin e ngjarjes, ku sipas tyre dëmtimi i kamionit është i vjetër dhe mund të jetë shkaktuar nga shpërthimi i granatës së dorës”, thuhet në njoftimin policor.
Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar. /Lajmi.net/