Abdixhiku e quajti rikthim të “bashkimit të madh”, por Agim Veliu ia refuzon publikisht kandidaturën për deputet dhe shpërthen ndaj LDK-së

Vetëm pak orë pasi Lumir Abdixhiku e përshëndeti publikisht nominimin e Agim Veliu për deputet, duke e quajtur “moment të madh bashkimi” për Lidhja Demokratike e Kosovës, ish-nënkryetari i partisë shpërtheu me një refuzim të ashpër ndaj lidershipit aktual. Abdixhiku kishte falënderuar Degën e Podujevës për “unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë”, duke thënë se rikthimi i…

Lajme

11/05/2026 22:30

Vetëm pak orë pasi Lumir Abdixhiku e përshëndeti publikisht nominimin e Agim Veliu për deputet, duke e quajtur “moment të madh bashkimi” për Lidhja Demokratike e Kosovës, ish-nënkryetari i partisë shpërtheu me një refuzim të ashpër ndaj lidershipit aktual.

Abdixhiku kishte falënderuar Degën e Podujevës për “unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë”, duke thënë se rikthimi i Veliut në garë është “dëgjim i vullnetit të anëtarësisë” dhe hap i rëndësishëm drejt “bashkimit të madh” në LDK.

Por reagimi i Agim Veliut mori kahje krejt tjetër.

Përmes një deklarate të gjatë publike, Veliu jo vetëm që refuzoi kandidaturën për deputet, por goditi rëndë lidershipin aktual të partisë, duke thënë se kandidimi i tij po përdorej për “mbijetesë politike” të kryetarit.

“Nuk di në cilën kategori të ‘Bashkimit të madh’ bëj pjesë unë”, shkroi Veliu, duke kujtuar se para zgjedhjeve të kaluara kandidatura e tij ishte refuzuar me arsyetimin se ishte “vendim i shefit të madh (Lumirit)” që ai të mos garonte.

Ai tha se tani e njëjta strukturë e partisë po e propozon pa e kontaktuar fare, duke ironizuar ndryshimin e qëndrimeve brenda LDK-së.

“Tash nuk di nëse paskam ndryshuar unë, apo ata? Jo. As unë, as ata. Kanë ndryshuar vetëm strategjitë për mbijetesën e tyre politike”, deklaroi Veliu.

Në fund, ai bëri të qartë se nuk largohet nga LDK-ja, por refuzon të bëhet pjesë e një projekti që, sipas tij, po e largon partinë nga identiteti i saj shtetformues.

“LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve”, përfundoi reagimin e tij Veliu. /Lajmi.net/