Marko Gjuriq ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të shihet si proces për njohje të ndërsjellë, por si mekanizëm për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Këto komente Gjuriq i bëri gjatë një takimi në Bruksel me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, të publikuar në rrjetin social “X”, Gjuriq ka theksuar se qëllimi i dialogut duhet të jetë përmirësimi i marrëdhënieve mes dy palëve dhe avancimi i të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore të komunitetit serb në Kosovë, si dhe i komuniteteve të tjera që jetojnë në vend.
Ai ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se dialogu “nuk është dhe nuk mund të jetë dialog për njohje të ndërsjellë”. /Lajmi.net/