“Mbani radhët”, OVL e UÇK-së me apel për unitet para zgjedhjeve
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë thirrje për unitet dhe mobilizim në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar që përgjegjësia kombëtare të vihet mbi interesat personale. Përmes një komunikate për media, OVL e UÇK-së ka theksuar se edhe sot, sikurse në kohën e luftës, vendi ka nevojë…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë thirrje për unitet dhe mobilizim në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar që përgjegjësia kombëtare të vihet mbi interesat personale.
Përmes një komunikate për media, OVL e UÇK-së ka theksuar se edhe sot, sikurse në kohën e luftës, vendi ka nevojë për bashkim dhe energji të përbashkët.
“Sot, më shumë se kurrë, na duhet ai bashkim dhe ajo energji që dikur e bënë të mundur të pamundurën”, thuhet në reagim.
Organizata u ka bërë thirrje qytetarëve dhe veçanërisht bashkëluftëtarëve që të ruajnë unitetin dhe të mos bien pre e përçarjeve.
“Mbani radhët. Hidhni poshtë çdo përpjekje për të mbjellë përçarje mes nesh. Ata që dikur e mbrojtën vendin me pushkë, sot duhet të garantojnë që gjaku i dëshmorëve të mos harrohet dhe që zëri i luftëtarit të mos shuhet”, thuhet më tej në komunikatë.
OVL e UÇK-së ka theksuar se shteti i Kosovës mund të mbrohet vetëm nga ata që kontribuuan në ndërtimin e tij përmes sakrificës dhe luftës për liri. /Lajmi.net/