AAK zyrtarizon Ardian Gjinin bartës të listës për zgjedhjet parlamentare

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë, ku janë marrë disa vendime lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në njoftimin e partisë thuhet se në fillim të mbledhjes është mbajtur një minutë heshtje në nderim të ish-anëtarit të AAK-së, Rifat Stojkaj, i cili ka…

Lajme

11/05/2026 18:24

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë, ku janë marrë disa vendime lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në njoftimin e partisë thuhet se në fillim të mbledhjes është mbajtur një minutë heshtje në nderim të ish-anëtarit të AAK-së, Rifat Stojkaj, i cili ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme.

Sipas komunikatës, Këshilli i Përgjithshëm ka aprovuar me shumicë votash Ardian Gjini si bartës të listës së AAK-së, si dhe listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare.

“Lista reflekton unitetin e Aleancës, duke gërshetuar përvojën politike me prurjet e reja profesionale, me synimin e vetëm: shërbimin ndaj qytetarëve dhe forcimin e shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në mbledhje janë aprovuar edhe ndryshimet statutare, për të cilat AAK-ja thotë se do ta bëjnë partinë “më dinamike, transparente dhe më të hapur për proceset demokratike të brendshme”.

Po ashtu, është konfirmuar se Kuvendi Zgjedhor i Aleancës do të mbahet më 24 maj dhe se përgatitjet për këtë proces tashmë kanë përfunduar.

Gjatë takimit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe anëtarët e Këshillit kanë diskutuar edhe për mobilizimin e degëve në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas AAK-së, partia hyn në këtë proces zgjedhor me fokus te zhvillimi ekonomik, siguria kombëtare dhe integrimet euro-atlantike. /Lajmi.net/