PDK merr vendimin final për Limajn, nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka vendosur të mos e pranojë rikthimin e Fatmir Limajt në parti dhe as kandidimin e tij në listën zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Lajmin e ka konfirmuar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë. “Sa i përket diskutimeve të fundit në…

Lajme

11/05/2026 17:54

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka vendosur të mos e pranojë rikthimin e Fatmir Limajt në parti dhe as kandidimin e tij në listën zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.

“Sa i përket diskutimeve të fundit në media, ne kemi pranuar një letër nga kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj. Pas diskutimeve në kryesinë e PDK-së, kemi një qëndrim të përbashkët: e mirëpresim kontributin e z. Limaj dhe NISMA-s që do të japin për PDK-në në këto zgjedhje. Jemi të bindur që kjo mbështetje do të rrisë votën për partinë tonë. Për korrektësi ndaj jush, z. Limaj nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së për deputetë. Ky ka qenë edhe vullneti i tij, pasi në letrën e dërguar ai nuk ka kërkuar të jetë pjesë e listës, por ka ofruar mbështetjen e subjektit të tij për rrugëtimin tonë të përbashkët”, tha Hamza para mediave.

Vendimi vjen pasi kreu i Nismës, Fatmir Limaj, i kishte dërguar javën e kaluar një letër Hamzës, ku kishte kërkuar rikthimin në PDK dhe përfshirjen në listën zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit.

Në të njëjtën letër, Limaj kishte paralajmëruar se në rast se kërkesa e tij nuk pranohej, ai nuk do të garonte në zgjedhjet parlamentare.

Ai kishte theksuar gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik, duke e cilësuar atë si një lëvizje në funksion të krijimit të një alternative më të fuqishme politike për qytetarët e Kosovës.

“Ne besojmë se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe strukturave që për vite të tëra kanë ndarë ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën”, kishte shkruar Limaj në letrën drejtuar Hamzës. /Lajmi.net/