Fluks i madh aplikimesh nga mërgata për votim, KQZ: Platforma po funksionon pa probleme
Procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora, i cili ka nisur më 6 maj, po vazhdon pa probleme dhe do të përfundojë më 17 maj. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për lajmi.net se deri më tani nuk është evidentuar asnjë problem në funksionimin e platformës elektronike për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Sipas…
Lajme
Procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora, i cili ka nisur më 6 maj, po vazhdon pa probleme dhe do të përfundojë më 17 maj. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për lajmi.net se deri më tani nuk është evidentuar asnjë problem në funksionimin e platformës elektronike për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.
Sipas tij, funksionalizimi i kësaj platforme ka lehtësuar dukshëm procesin e regjistrimit, si për KQZ-në, ashtu edhe për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
“Procesi i votimit të votuesve jashtë Kosovës, i cili ka filluar më 6 maj, është duke vazhduar dhe do të përfundojë më 17 maj. Deri më tani nuk ka pasur nga ana jonë ndonjë evidentim të ndonjë problemi gjatë funksionimit të platformës për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Në përgjithësi, funksionalizimi i kësaj platforme ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë punën e KQZ-së për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, por po ashtu edhe vetë shtetasit e Kosovës që janë jashtë vendit mund të aplikojnë me lehtësi të madhe për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në vendin tonë”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka bërë të ditur se qytetarët mund të regjistrohen si votues për votim fizik në përfaqësitë diplomatike ose për votim përmes postës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 6 maji deri më 11 maj, në ora 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar rreth 50 mijë kërkesa për regjistrim. Prej tyre, 36 mijë e 609 janë aprovuar, 3 mijë e 868 janë refuzuar, ndërsa 9 mijë e 428 aplikime janë ende në shqyrtim.
Po ashtu shtetet me numrin më të madh të aplikuesve janë Gjermania dhe Zvicra.
“Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë: Gjermania (18,379), Zvicra (7,923), Franca (1,614), Suedia (1,584), Austria (1,073) dhe Mbretëria e Baskuar (1,052)”, ka deklaruar Elezi. /Lajmi.net/
Për më shumë, ndiqni videon e plotë: