Konjufca pas deklarimit të Kallas: Edhe zgjedhjet në Kosovë duhet të kuptohen nga një aspekt i demokracisë
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ka theksuar se problemi më i madh është goditja në mirëbesim që i është bërë Kosovës nga ana e Serbisë. “Sulmet e tilla si ai i Banjskës dhe sulmet në kanalin e Iber-Lepencit, të gjitha tregojnë se involvimi i Serbisë në…
Lajme
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ka theksuar se problemi më i madh është goditja në mirëbesim që i është bërë Kosovës nga ana e Serbisë.
“Sulmet e tilla si ai i Banjskës dhe sulmet në kanalin e Iber-Lepencit, të gjitha tregojnë se involvimi i Serbisë në këto dy sulme është i drejtpërdrejtë. Relacionet që i kanë pasur këto grupe me institucionet e Serbisë është i drejtpërdrejtë. Prandaj si mund të ulemi ne me një palë e cila derisa ne ulemi në tavolinën e dialogut, ata prapa shpinës organizojnë aksione të cilat e godasin Kosovën në integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, është shprehur Konjufca.
I pyetur për deklaratat e Përfaqësueses së lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, se takimet e nivelit të lartë në dialog po shtyhen për shkak të cikleve të shpeshta zgjedhore në Kosovë, Konjufca ka thënë se kjo nuk po bëhet për faj të Kosovës.
“Kjo nuk është me fajin tonë. Edhe zgjedhjet në Kosovë duhet t’i kuptojnë nga një aspekt i demokracisë, edhe i kapaciteteve tona shtetërore që kanë kërkuar kohë të gjatë të ndërtohen, ashtu që sistemi politik dhe demokracia të mund t’i absorbojë edhe krizat politike. Ne jemi të vetëdijshëm që kjo Kosovën e ngadalëson sepse bëhet edhe një dëm sa i përket sekuencimit të implementimit të planit të rritjes që e ka Kosova. Ne e kemi miratuar por në mënyrën se si do të zbatohet dhe obligimet financiare që BE-ja i zbaton në kuadër të këtij plani, ky plan dëmtohet”, ka thënë ai në një deklarim për media pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të kryesuar nga Kallas.
“Unë u bëra thirrja të gjitha shteteve dhe Kallasit që të konsiderohet ky hap sa më shpejt që të jetë e mundshme. Ne kemi nevojë që të hapen negociatat për anëtarësim në BE dhe në të njëjtën kohë paraqita edhe sfidat kryesore të sigurisë sa i përket Ballkanit Perëndimor. Theksova që për Kosovën kërcënimi më i madh janë politikat e shtetit serb. Po ashtu ua bëra të ditur se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe përfshirja e saj e drejtpërdrejt ose për mes grupeve si ai në Banjskë, po ashtu edhe financimit të disa prej strukturave janë kërcënim për Kosovën. Në të njëjtën kohë bëra të ditur se një ndikim rus vërehet se vjen në Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë”, ka thënë Konjufca.