​FFK konfirmon dy ndeshje miqësore për Kombëtaren e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku “Dardanët” do të garojnë në Ligën B. Skuadra e drejtuar nga Franco Foda fillimisht do të përballet me Kombëtaren e Çekisë më 31 maj në stadiumin “Epet Arena” në Pragë.…

Sport

11/05/2026 12:49

Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku “Dardanët” do të garojnë në Ligën B.

Skuadra e drejtuar nga Franco Foda fillimisht do të përballet me Kombëtaren e Çekisë më 31 maj në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Ky duel konsiderohet si një test i rëndësishëm për Kosovën ndaj një kundërshtari me përvojë në futbollin evropian.

Çekia e ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror 2026 pasi triumfoi ndaj Danimarkës pas penalltive në “play-off”-in evropian, duke u rikthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2006. Aktualisht, çekët renditen në vendin e 41-të në ranglistën e FIFA-s.

Kosova dhe Çekia janë përballur dy herë më parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. “Dardanët” kishin fituar në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 2:1 më 7 shtator 2019, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Plzen kishin pësuar humbje me rezultat identik, më 14 nëntor 2019.

Ndeshjen e dytë miqësore Kosova do ta luajë më 7 qershor kundër Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Edhe ndaj Andorrës, Kosova ka zhvilluar dy ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Në Prishtinë ishte regjistruar barazim 1:1, derisa në Andorra La Vella “Dardanët” kishin fituar bindshëm me rezultat 3:0.

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se Kombëtarja do të grumbullohet më 27 maj në hotelin “Emerald”, derisa këto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për vazhdimin e ndërtimit të skuadrës para sfidave në Ligën B, ku Kosova ndodhet në Grupin B3 së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.