Muja: Sektori i qumështit po përballet me presione nga jashtë, dyshohet zëvendësimi i yndyrave shtazore me ato bimore

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi të dielën se institucionet në Kosovë kanë identifikuar raste kur produktet e qumështit të shitura në treg nuk përputhen me përbërjen e deklaruar. Në një konferencë për media së bashku me përfaqësues të Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ai tha se sektori i qumështit po përballet me sfida të…

Lajme

10/05/2026 14:25

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi të dielën se institucionet në Kosovë kanë identifikuar raste kur produktet e qumështit të shitura në treg nuk përputhen me përbërjen e deklaruar.

Në një konferencë për media së bashku me përfaqësues të Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ai tha se sektori i qumështit po përballet me sfida të mëdha për shkak të rritjes së importeve të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat sipas tij po ndikojnë negativisht te prodhuesit vendorë.

Muja theksoi se bizneset që përdorin qumësht pluhur dhe vaj palme në përpunimin e produkteve do të obligohen të aplikojnë për licenca të veçanta. Ai shtoi se këto produkte nuk do të lejohen të tregtohen me emërtime tradicionale të produkteve të qumështit.

Sipas tij, me masat e reja do të pezullohet përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur në industrinë e përpunimit të qumështit, derisa AUV të hartojë një kornizë të re rregullative për këtë sektor.

Konferenca u mbajt pak ditë pasi fermerët protestuan kundër uljes së çmimit të grumbullimit të qumështit, duke derdhur qumësht në lum si shenjë pakënaqësie ndaj gjendjes në treg.

“Sektori i qumështit po përballet me dy presione… tendenca për ta zëvendësuar qumështin e freskët me qumësht pluhur dhe tendenca për t’i zëvendësuar yndyrat shtazore me yndyra bimore, me vaj palme”, tha Muja.