Prishtina fituese e Superkupës Kosovë–Diasporë

Skuadra fituese e Kupës së Kosovës, Prishtinë, ka fituar trofeun Superkupës Kosovë–Diasporë, pasi ka shënuar fitore ndaj fitueses së Kupës së Diasporës, FC Kosova nga Gjenevë, pas penalltive (4:3), pasi koha e rregullt u mbyll 2:2, në ndeshjen e zhvilluar në Gjenevë, me organizim të Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe mbështetje…

Sport

09/05/2026 19:54

Skuadra fituese e Kupës së Kosovës, Prishtinë, ka fituar trofeun Superkupës Kosovë–Diasporë, pasi ka shënuar fitore ndaj fitueses së Kupës së Diasporës, FC Kosova nga Gjenevë, pas penalltive (4:3), pasi koha e rregullt u mbyll 2:2, në ndeshjen e zhvilluar në Gjenevë, me organizim të Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe mbështetje të FFK-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, me pjesëmarrjen e një numri të madh bashkatdhetarësh, të cilët përveç futbollit shijuan edhe programin artistik me këngë e valle kombëtare.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i pranishëm në këtë ngjarje, u nderua me mirënjohje për kontributin e tij, teksa vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të Diasporës në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, si dhe në mbështetjen e futbollit kosovar në rrugëtimin drejt UEFA-s dhe FIFA-s dhe progresit të tij të vazhdueshëm.

Ndeshja ishte mjaft interesante dhe e baraspeshuar. Liridon Bajrami kaloi Kosovën e Gjenevës në epërsi nga penalltia në minutën e 12-të. Lorik Mehmeti barazoi shifrat në minutën e 39-të, kur përfitoi nga topi i dëbuar nga portieri Amine Zahi që priti penalltinë e Blend Baftiut. Karim Ait riktheu epërsinë për Kosovën e Gjenevës, në minutën e 64-t, me një gjuajtje nga brendësia e zonës. Por, Prishtina shmangu humbjen në fund, kur Leotrim Kryeziu realizoi nga penalltia, në minutën e 83-të, pasi paraprakisht ndaj Dren Zeqirit u shkaktua faull brenda zonës.

Kësisoj, fituesi u përcaktua nga gjuajtjet e penalltive, ku më të saktë u treguan futbollistët e Prishtinës, duke fituar 4:3, me rezultat të përgjithshëm 6:5.

Në fund, presidenti Agim Ademi dhe kryetari i UKSHFZ-së, Feti Demolli, ndanë trofeun dhe medalje, duke kurorëzuar një ditë feste e bashkimi për futbollin kosovar dhe diasporën shqiptare.