Aksioni tek Agjencia Kadastrale | Tre zyrtarëve të ndaluar, me vendim të gjykatës, u ndalohet afrimi te Komuna e Prishtinës dhe AKK-ja

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve F.S., L.R. dhe N.S., të cilët po hetohen për disa vepra penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe ryshfet. Në vend të paraburgimit, gjykata ka vendosur masën e ndalimit të afrimit ndaj Komunës…

Lajme

09/05/2026 17:22

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve F.S., L.R. dhe N.S., të cilët po hetohen për disa vepra penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe ryshfet.

Në vend të paraburgimit, gjykata ka vendosur masën e ndalimit të afrimit ndaj Komunës së Prishtinës dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës në një distancë prej 200 metrash, si dhe obligimin për paraqitje në stacion policor për një muaj, deri më 7 qershor 2026, transmeton lajmi.net.

“Mosrespektimi i masave të shqiptuara mund të çojë në caktimin e paraburgimit”, thuhet në vendimin e gjykatës. Sipas gjykatës, masat aktuale konsiderohen të mjaftueshme për zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

Komunikata e plotë: 
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.S. për shkak të veprave penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Keqpërdorimi i informatës zyrtare dhe veprës penale Marrja e ryshfetit, ndaj të pandehurit L.R. për shkak të veprave penale Mashtrimi dhe Falsifikimi i dokumentit si dhe ndaj të pandehurit N.S. për shkak të veprave penale Falsifikim i dokumenteve, Legalizim i përmbajtës së rrem dhe veprës penale Deklarim i rrem nën betim.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar dhe ndaj të pandehurve F.S., L.R. dhe N.S. ka caktuar masën Ndalimi për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, e cila masë të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, duke u llogaritur nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026.
Obligohen tre të pandehurit që në largësinë prej 200 (dyqind) metra, të mos i ofrohen Komunës së Prishtinës si dhe Agjensionit Kadastral të Kosovës. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve, do të zëvendësohet me masën e paraburgimit. Gjykata ka urdhëruar masën Paraqitja në stacionin policor ndaj të pandehurve F.S., L.R. dhe N.S., e cila masë do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026. Gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse të pandehurit nuk respektojnë masën e shqiptuar. Me rastin e vendosjes gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./lajmi.net/