Statuja gjigante prej ari e Trumpit përurohet në Florida

Një statujë gjigante prej ari e Donald Trump u përurua në fushën e tij presidenciale të golfit në Doral të Floridës, në një ceremoni të udhëhequr nga një pastor ungjillor. Statuja gati shtatë metra e lartë tregon Trumpin me grushtin e ngritur, në pozën që mori pas atentatit ndaj tij në Butler të Pensilvanisë. Në…

Bota

09/05/2026 17:02

Një statujë gjigante prej ari e Donald Trump u përurua në fushën e tij presidenciale të golfit në Doral të Floridës, në një ceremoni të udhëhequr nga një pastor ungjillor. Statuja gati shtatë metra e lartë tregon Trumpin me grushtin e ngritur, në pozën që mori pas atentatit ndaj tij në Butler të Pensilvanisë.

Në këtë aktivitet morën pjesë disa dhjetëra të ftuar, dhe pastori Mark Burns, një anëtar i organizatës Pastors for Trump, iu drejtua atyre nga foltorja, shkruan The Independent.

“Sot në Trump National Doral Miami pamë një moment të paharrueshëm”, shkroi Burns në rrjetet sociale, duke theksuar se statuja e praruar nuk është një idhull i rremë.

“Kjo statujë është një festë e jetës. Është një simbol i qëndrueshmërisë, lirisë, patriotizmit, forcës dhe vullnetit për të vazhduar luftën për të ardhmen e Amerikës.”

Burns, i cili më parë e ka përshkruar presidentin si një person të emëruar nga Zoti, shtoi se skulptura qëndron si një “kujtesë e dorës së Zotit dhe mbrojtjes së Tij mbi jetën e Presidentit Trump”, duke aluduar në përpjekjet e shumta për vrasje që ai i ka mbijetuar.

Gjatë ceremonisë, Burns në një moment e mbajti celularin e tij pranë mikrofonit, pas së cilit u dëgjua zëri i Trump.

“Dua të falënderoj Mark Burns, pastorin, ai është një pastor i mirë dhe një njeri i mirë”, tha Trump. “E njoh prej kohësh, ka qenë me mua që nga fillimi, ndoshta disa ditë më vonë.”

“Dua të falënderoj të gjithë ata që janë atje,” shtoi ai. “E di që u bë nga dashuria.”