E konfirmuar: Lëvizja Vetëvendosje e ka regjistruar koalicionin me Guxo, Alternativa dhe PSHDK për zgjedhjet e 7 qershorit
Më 7 maj, në orën 24:00, është përmbyllur afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe për formimin e koalicioneve. Në një prononcim për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se këto obligime kanë vlejtur…
Lajme
Më 7 maj, në orën 24:00, është përmbyllur afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe për formimin e koalicioneve.
Në një prononcim për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se këto obligime kanë vlejtur vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.
“Më 7 maj, në orën 24:00, është përmbyllur afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Këto obligime kanë vlejtur vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.
Deri në përfundim të afatit (1 maj – 7 maj 2026) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, mospjesëmarrje nga 9 parti politike dhe 3 koalicione, të përbëra nga 9 parti politike”, ka deklaruar Elezi për lajmi.net.
Ai ka bërë të ditur se partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë:
“1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës”.
Sipas tij, partitë që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë:
“1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”.
Elezi ka treguar gjithashtu edhe partitë që kanë njoftuar formimin e koalicioneve.
“Partitë politike që deri më tani kanë njoftuar formimin e koalicionit: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); 2. Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!)”, ka thënë Elezi.
Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.
Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur), ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.
Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026./lajmi.net/