Konfirmohet: Vjosa Osmani do të jetë kandidate për presidente dhe bartëse e listës së LDK-së – Lumir Abdixhiku kandidat për kryeministër

LDK dhe lista e Vjosa Osmanit do të jenë bashkë në zgjedhjet e 7 qershorit. Marrëveshja e tyre vetëm pritet të finalizohet në ditët në vijim, transmeton lajmi.net. Sipas detajeve të bëra publike nga nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala ka thënë se marrëveshja parasheh që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidate…

Lajme

07/05/2026 21:47

LDK dhe lista e Vjosa Osmanit do të jenë bashkë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Marrëveshja e tyre vetëm pritet të finalizohet në ditët në vijim, transmeton lajmi.net.

Sipas detajeve të bëra publike nga nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala ka thënë se marrëveshja parasheh që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidate për presidente, ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të jetë kandidat për kryeministër dhe numri dy në listë.

“Sipas marrëveshjes Vjosa Osmani do jetë bartëse e listës dhe kandidate për presidente… Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër dhe numër 2 në listë”, ka deklaruar Shala në T7.

Ai ka shtuar se kjo marrëveshje pritet të sjellë edhe rikthimin e disa figurave të dikurshme të LDK-së, si dhe përfshirjen e emrave të rinj në listën zgjedhore.

Ndërkohë, brenda partisë është bërë e ditur se të shtunën në orën 12:00 do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku pritet që këtij bashkëpunimi t’i jepet drita e gjelbër formale.

Edhe ish-deputetja Jehona Lushaku-Sadriu ka folur për një dakordim në parim me Osmanin, duke e cilësuar procesin si bashkëpunim të gjerë politik.

“Kemi në parim një dakordim për ecje përpara me zonjën Osmani. Nuk bëhet asgjë pa qenë e dyanshme, ka pasur takime… ka pasur diskutime se si shihet ky vizion”, ka deklaruar ajo në Klan Kosova.

Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, ka theksuar se ky bashkëpunim nuk është një koalicion klasik, por përfshirje e drejtpërdrejtë e ekipit të Osmanit në listën e LDK-së.

“Nuk ka koalicion klasik. Zonja Osmani, bashkë me ekipin e saj, do të jetë pjesë e listës së LDK-së”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, një pjesë e atyre që po i bashkohen kësaj liste janë figura që më herët kanë qenë pjesë e LDK-së dhe tani po rikthehen në parti, në kuadër të një riorganizimi të brendshëm politik.

Në përgjithësi, brenda LDK-së po theksohet se marrëveshja synon unifikimin e elektoratit dhe forcimin e partisë në garën e ardhshme zgjedhore, me Vjosa Osmanin si bartëse të listës dhe kandidate për presidente, ndërsa Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër./lajmi.net/