“Është luks të zgjedhësh vetë kohën për t’i thënë lamtumirë jetës” – Publikohet letra e fundit e Jeffrey Epstein

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka bërë publike një letër që dyshohet se është shkruar nga Jeffrey Epstein para vdekjes së tij, duke shënuar herën e parë që dokumenti publikohet zyrtarisht. Sipas mediave amerikane, letra u gjet nga Nicholas Tartaglione, ish-shoku i qelisë së Epstein në Qendrën Korrektuese Metropolitane në New York, pasi…

ShowBiz

07/05/2026 16:34

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka bërë publike një letër që dyshohet se është shkruar nga Jeffrey Epstein para vdekjes së tij, duke shënuar herën e parë që dokumenti publikohet zyrtarisht.

Sipas mediave amerikane, letra u gjet nga Nicholas Tartaglione, ish-shoku i qelisë së Epstein në Qendrën Korrektuese Metropolitane në New York, pasi Epstein kishte tentuar pa sukses të vetëvritej në korrik të vitit 2019, vetëm disa javë para se të gjendej i vdekur në qelinë e tij.

Në përmbajtjen e letrës shkruhet: “Më hetuan për muaj të tërë, nuk gjetën asgjë!!! Është luks të zgjedhësh vetë kohën për t’i thënë lamtumirë jetës. Çfarë doni të bëj, të shpërthej në lot?! Nuk ka argëtim, nuk ia vlen!!”.

Letra nuk mban firmë dhe deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse është shkruar vërtet nga Epstein. Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk ka komentuar ende mbi publikimin e saj.

Dokumenti u deklasifikua pasi gazeta “New York Times” publikoi javën e kaluar një artikull mbi ekzistencën e letrës dhe kërkoi nga gjykata në White Plains, New York, që ajo të bëhej publike.

Nicholas Tartaglione, ish-polic dhe aktualisht i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të katërfishtë, ka deklaruar se ai e gjeti Epstein pa ndjenja në qeli. Pas ngjarjes, Epstein kishte pretenduar para autoriteteve të burgut se ishte sulmuar nga Tartaglione.

Sipas dokumenteve federale, në javët para vdekjes së tij, Epstein kishte këmbëngulur se nuk kishte prirje vetëvrasëse.

Mediat raportojnë se Tartaglione ia dorëzoi letrën ekipit të tij ligjor si një mbrojtje të mundshme ndaj akuzave të ardhshme për sulm nga Epstein. Avokatët më pas angazhuan ekspertë të shkrimit të dorës për të verifikuar autorësinë e dokumentit.

Letra kishte qëndruar e vulosur në kuadër të çështjes së apelimit të Tartaglione, për shkak të mbrojtjes nga privilegji avokat-klient.

Jeffrey Epstein, financier i njohur amerikan dhe i përfshirë në skandale të mëdha abuzimi seksual, u shpall zyrtarisht i vetëvrarë nga eksperti mjeko-ligjor i New York-ut në vitin 2019. Megjithatë, lidhjet e tij me figura të fuqishme politike dhe ekonomike kanë vazhduar të ushqejnë teori konspirative mbi rrethanat e vdekjes së tij.