Kurti për shtyrjen e vendimit për katërshen e UÇK-së: Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo Speciale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me vendimin e Speciales për shtyrjen e marrjes së vendimit për ish-krerët e UÇK-së edhe për dy muaj. Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur informacion paraprak për shtyrjen e vendimit. “Sa i përket Gjykatës Speciale dhe shtyrjes për dy muaj të vendimit, ne…

Lajme

07/05/2026 09:29

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me vendimin e Speciales për shtyrjen e marrjes së vendimit për ish-krerët e UÇK-së edhe për dy muaj.

Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur informacion paraprak për shtyrjen e vendimit.

“Sa i përket Gjykatës Speciale dhe shtyrjes për dy muaj të vendimit, ne e morëm vesh njësoj sikurse ju, për shkak se Qeveria nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që ndodhin në Gjykatën Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca ndaj vendit tonë. Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për Gjykatën Speciale”,deklaroi Kurti.

Ai tha se 3 gushti i vitit 2015 është ndër ditët më të rënda të Kosovës së pavarur.

“Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të mësohet në histori si luftë e drejtë kundër një okupatori gjenocidal. Ishte luftë antikolonialiste. Ky ishte gjenocidi i katërt që ka bërë Serbia ndaj popullit tonë.UÇK-ja, si pjesë e luftës çlirimtare, është një luftë që gjithmonë duhet të kujtohet, të mbrohet dhe të mësohet. Është e domosdoshme që të nxirren mësimet nga gabimet politike që janë bërë dhe që na kanë sjellë në këtë situatë. Ne kemi një gjykatë speciale që i vonon vendimet e saj. Besojmë në drejtësinë e luftës dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Hagë”, përfundoi ai./Lajmi.net/