Kapet ari i padeklaruar në Han të Elezit, ndalohet autobusi Serbi–Maqedoni e Veriut
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me ar të padeklaruar në pikën kufitare të Hanit të Elezit. Operacioni është realizuar sot rreth orës 16:10, pas sigurimit të informacioneve inteligjente, kur për kontroll në vijën e dytë është ndaluar një autobus i linjës së rregullt Serbi –…
Lajme
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me ar të padeklaruar në pikën kufitare të Hanit të Elezit.
Operacioni është realizuar sot rreth orës 16:10, pas sigurimit të informacioneve inteligjente, kur për kontroll në vijën e dytë është ndaluar një autobus i linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë me inicialet M.L, raporton lajmi.net
Gjatë kontrollit të detajuar, autoritetet kanë zbuluar në çantën e një pasagjereje (J.H.) stoli ari të ndryshme, përfshirë varëse dhe unaza, të cilat ishin të fshehura në një qese të mbyllur. Ndërkohë, tek drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura në xhaketën e tij edhe disa rrathë dore dhe një medaljon ari.

Sipas njoftimit zyrtar, pesha totale e arit të sekuestruar arrin në 129.76 gramë. Ky ari nuk ishte deklaruar dhe është konfiskuar nga autoritetet doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa vlera e tij pritet të përcaktohet nga njësitë përkatëse të Doganës së Kosovës.
Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke synuar garantimin e rendit dhe sigurisë në kufijtë shtetërorë të Republikës së Kosovës./Lajmi.net/