Ndarja nga jeta e Servet Pëllumbit, Haxhiu: Veprimtaria e tij do të mbetet udhërrëfyese
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Servet Pëllumbi, duke e vlerësuar lart figurën dhe kontributin e tij në jetën akademike dhe politike. Në telegramin e ngushëllimit drejtuar familjes Pëllumbi, Haxhiu ka theksuar se profesor Pëllumbi do të kujtohet si një mendimtar i shquar, me…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Servet Pëllumbi, duke e vlerësuar lart figurën dhe kontributin e tij në jetën akademike dhe politike.
Në telegramin e ngushëllimit drejtuar familjes Pëllumbi, Haxhiu ka theksuar se profesor Pëllumbi do të kujtohet si një mendimtar i shquar, me mprehtësi të veçantë në analizën e fenomeneve filozofike, politike dhe shoqërore.
Ajo ka vlerësuar se përmes veprës së tij akademike, ai ka ndikuar në edukimin e brezave të rinj, ndërsa përmes angazhimit publik ka dhënë shembullin e shërbimit me përgjegjësi dhe dinjitet ndaj vendit.
Sipas saj, në periudhat e vështira të tranzicionit në Shqipëria, Pëllumbi vuri dijen dhe potencialin e tij në funksion të demokratizimit dhe reformimit të sistemit.
Haxhiu ka rikujtuar edhe kontributin e tij si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2002–2005, duke theksuar rolin e tij në forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin e parlamentarizmit.
Ajo ka theksuar se humbja e tij është humbje për mbarë kombin, duke shtuar se veprimtaria e tij do të mbetet udhërrëfyese për brezat që vijnë.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Profesor Servet Pëllumbin”, thuhet në telegramin e ngushëllimit. /Lajm.net/