Rama, udhëton drejt Washingtonit, prezanton kryeqytetin në “Expo AI 2026”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të marrë pjesë në një nga ngjarjet më të mëdha globale për inteligjencën artificiale, “Expo AI 2026”, që mbahet në Washington. Ai ka theksuar se kjo pjesëmarrje nuk është thjesht protokollare, por përfaqëson një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe për kryeqytetin. Sipas tij, për dekada me radhë Kosova…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të marrë pjesë në një nga ngjarjet më të mëdha globale për inteligjencën artificiale, “Expo AI 2026”, që mbahet në Washington.
Ai ka theksuar se kjo pjesëmarrje nuk është thjesht protokollare, por përfaqëson një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe për kryeqytetin.
Sipas tij, për dekada me radhë Kosova është parë kryesisht përmes luftës dhe sfidave politike, por kjo paraqitje synon të ndryshojë këtë perceptim.
“Nesër, para botës, Prishtina prezantohet ndryshe: si qytet i rinisë, si qendër e inovacionit dhe si simbol i një shteti që nuk u dorëzua kurrë dhe që sot kërkon vendin e vet në epokën e inteligjencës artificiale”, ka deklaruar Rama.
Ai e cilësoi këtë paraqitje si politikë të dinjitetit, përfaqësimit dhe afirmimit ndërkombëtar, duke shtuar se është edhe një përgjigje ndaj përpjekjeve për ta mbajtur Kosovën jashtë platformave globale.
Rama theksoi se në Washington nuk do të prezantohet vetëm një qytet, por edhe historia dhe transformimi i një populli.
“Washingtoni nesër nuk do të dëgjojë vetëm për një kryeqytet, por për një popull që nga rezistenca arriti te inovacioni – nga mbijetesa te përfaqësimi global dhe nga një e kaluar e dhimbshme drejt ambicies për të qenë pjesë e botës së së ardhmes”, përfundoi ai. /Lajmi.net/