Policia e Kosovës: Kompetencat tona për të shqiptuar gjoba janë të ligjshme
Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media lidhur me kompetencat e saj për zbatimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, duke theksuar se veprimet e saj janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Përmes një komunikate, Policia ka bërë të ditur se ushtrimi i autoritetit për inicimin…
Lajme
Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media lidhur me kompetencat e saj për zbatimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, duke theksuar se veprimet e saj janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Përmes një komunikate, Policia ka bërë të ditur se ushtrimi i autoritetit për inicimin dhe zhvillimin e procedurave kundërvajtëse, si dhe shqiptimi i sanksioneve, mbështetet në bazë ligjore dhe kushtetuese. Sipas saj, çdo pretendim që vë në dyshim këtë kompetencë është i pabazuar dhe në kundërshtim me rendin juridik në vend.
Në sqarim për opinionin publik, Policia ka rikujtuar se Ligji për Kundërvajtje, i miratuar në vitin 2016 dhe që ka hyrë në fuqi në vitin 2017, përcakton qartë rolin e organeve administrative, përfshirë Policinë, në trajtimin e kundërvajtjeve.
Po ashtu, është përmendur edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i majit 2017, i cili konfirmon se dispozitat që lidhen me kompetencat e organeve administrative janë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane për një gjykim të drejtë.
Sipas Policisë, ky vendim legjitimon delegimin e kompetencave për trajtimin e kundërvajtjeve tek institucionet administrative, duke mundësuar një menaxhim më efikas të rasteve, veçanërisht në fushën e trafikut rrugor.
Megjithatë, Policia thekson se të drejtat e qytetarëve janë të garantuara, pasi çdo gjobë apo masë kundërvajtëse mund të kontestohet në Gjykatën Themelore, në Departamentin për Çështje Administrative.
Në fund, Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për zbatimin e ligjit, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.