​104 të zhdukur vetëm në Mitrovicë, Haxhiu kërkon zbardhjen e fatit të tyre

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka qëndruar sot për vizitë në Shoqatën e të Pagjeturve në Komunën e Mitrovicës, ku ka takuar familjarët dhe nënat e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Gjatë kësaj vizite, Haxhiu theksoi se vetëm në Mitrovicë janë të zhdukur 104 persona, për fatin e të…

Lajme

06/05/2026 15:02

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka qëndruar sot për vizitë në Shoqatën e të Pagjeturve në Komunën e Mitrovicës, ku ka takuar familjarët dhe nënat e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Gjatë kësaj vizite, Haxhiu theksoi se vetëm në Mitrovicë janë të zhdukur 104 persona, për fatin e të cilëve ende nuk ka informacione.

“Në komunën e Mitrovicës janë edhe 104 persona të zhdukur me dhunë, pra për të cilët nuk dihet dhe nuk ka informacione se ku janë. Unë tregova për përkushtimin institucional, punën që institucionet e Republikës së Kosovës e kanë bërë në drejtim të zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë, tregova se problemi kryesor në këtë pjesë është Serbia, që vazhdon të mos japë informacione për fatin e tyre dhe natyrisht që u zotova se kërkesat e familjeve, që nënat e personave të zhdukur me dhunë, do të adresohen te institucionet përgjegjëse. Kjo është vizita ime e parë, por i falënderova edhe për punën e madhe që kanë bërë ndër vite, punë që do të duhej ta bënin institucionet menjëherë pas periudhës së luftës, në fakt e kanë bërë organizatat dhe shoqatat, përfshirë shoqatën këtu në Mitrovicë. Tashmë, siç e dini, e kemi edhe Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Luftës, kemi mundësuar gjykimin në mungesë, sepse me familjarët e viktimave të luftës, me familjarët e personave të zhdukur me dhunë, në vazhdimësi tema kryesore është drejtësia”, tha Haxhiu.

Kryetarja e Shoqatës së të Pagjeturve në Mitrovicë, Gjyla Haziri, e cilësoi si alarmuese situatën me numrin e personave ende të zhdukur, duke kërkuar presion më të madh ndaj Serbisë.

“Ne si familjarë kërkojmë drejtësi, kërkojmë nga institucionet e Kosovës të bëjnë presion tek vendorët, vendorët mbi shtetin serb, të dalë drejtësia në shesh. 104 në Mitrovicë edhe 1566 persona ende të pagjetur pas 27 viteve, kjo është një tmerr i madh për Kosovën. Nuk po them që nuk kanë punuar Qeveria e Kosovës, kanë punuar aq sa kanë mundur, por ndërkombëtarëve bëj apel që të bëjnë më shumë presion tek Serbia”, tha Haziri.

Ndërsa, familjarja Nazmije Sinani rrëfeu për KosovaPress, për zhdukjen e vëllait të saj gjatë luftës, duke kërkuar që të paktën të dihet vendndodhja e varrit të tij.

“E kam vëllain e zhdukur Ilmi Cimilin, në ’99-ën është zhdukur, i ka pasur 33 vjet. Na kanë hyrë në mal forcat serbe, na kanë marrë vëllain edhe tre fëmijë, fëmijët i kemi gjetur në Vllahi, e vëllain jo. Vëllain prej asaj dite më kurrë s’dimë asgjë për të. Kisha bërë apel me marrë masa e me ditur bile ku e ka varrin”, tregoi Sinani.

Çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet një nga plagët më të rënda të pasluftës në Kosovë. Edhe pas më shumë se dy dekadash, mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë në listën e të pagjeturve, ndërsa familjet e tyre përballen çdo ditë me mungesën e informacionit dhe drejtësisë./kp