Samiti PowertoHR: Kosova dhe Shqipëria tërheqin investitorë në teknologji
Organizimet si samiti “PowertoHR” po shihen gjithnjë e më shumë si ngjarje të rëndësishme që lidhin bizneset, profesionistët dhe rrjetin teknologjik të rajonit me botën, duke sjellë në Kosovë dhe Shqipëri ekspertë të fushës dhe investitorë potencialë. Në këtë kuadër, Jonika Dhima, shqiptarja e parë e punësuar në Google në vitin 2004 dhe me gati…
Lajme
Organizimet si samiti “PowertoHR” po shihen gjithnjë e më shumë si ngjarje të rëndësishme që lidhin bizneset, profesionistët dhe rrjetin teknologjik të rajonit me botën, duke sjellë në Kosovë dhe Shqipëri ekspertë të fushës dhe investitorë potencialë.
Në këtë kuadër, Jonika Dhima, shqiptarja e parë e punësuar në Google në vitin 2004 dhe me gati dy dekada përvojë në këtë kompani, vlerësoi potencialin e madh që ka rinia shqiptare në teknologji dhe inovacion.
“Jam shqiptarja e parë e punësuar nga Google në 2004-ën. Isha aty për gati 19 vite dhe pasi hapa biznesin tim përpara tre vitesh, fillova të kuptoja sa e rëndësishme është për shqiptarët, kosovarët, gjithë njerëzit e diasporës, për me sa mundësi të kemi të kthehemi dhe të japim mundësi të sqarojmë çfarë kemi mësuar. Çfarë kam parë si në Shqipëri dhe në Kosovë është që rinia dhe profesioni është shumë i lumtur për të mësuar teknologjinë, kështu që ajo është gjëja numër një që ka qenë shumë interesante. Numër dy, po shikoj që ka shumë investitorë që kanë interes në Shqipëri, në Kosovë dhe ky interes vjen prej kapacitetit që kanë vendet tona. Edhe vendi i tretë dhe gjëja e tretë që dua të them është që AI po shikoj që ka një mundësi shumë për të mësuar dhe për ta përdorur AI-në që si Kosova, si Shqipëria gjithë bizneset kemi mundësi me shkua akoma dhe më përpara”, tha ajo.
Ndërsa, drejtori i “Digital Academy Albania”, Renado Cevili, theksoi rëndësinë e ngjarjeve të tilla për zhvillimin e biznesit dhe krijimin e rrjeteve profesionale.
Ai shtoi se bashkëpunimi mes bizneseve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare mund të sjellë bashkëpunime të reja dhe zhvillim të mëtejshëm ekonomik në rajon.
“Oportunitetet dhe zgjerimi i “networking” patjetër gjeneron më shumë biznes për të gjithë dhe ofron më shumë mundësi për t’u zhvilluar, si për profesionistët e burimeve njerëzore, po ashtu edhe për biznese për të gjeneruar oportunitete, klientë më shumë, po edhe pse jo bashkëpunime në të ardhmen. Në Shqipëri edhe në Kosovë ka brende që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme edhe patjetër kur janë dhe evente të tilla që bëhen bashkë, mund të krijojnë sinergji dhe mund të shikojnë bashkëpunime për t’u zhvilluar së bashku patjetër. Mendoj që shqiptarët kanë talent. Ne kemi parë në të gjithë botën ka profesionistë, ka talentë që po shkëlqejnë në vende të tjera. Pse jo mos krijojmë mundësi që ata të vijnë, të investojnë në vendin tonë dhe të shikojnë ato oportunitetet që të fuqizojnë si shembujt e tyre edhe shqiptarët dhe njerëzit tanë për t’i zhvilluar edhe për t’i marrë në arenë ndërkombëtare. Kemi parë sa shembuj të mirë, sidomos edhe në drejtimin e AI së fundmi.”, tha Cevili.
Ai shtoi se rikthimi i profesionistëve shqiptarë nga diaspora për të ndarë përvojat e tyre është një vlerë e shtuar për zhvillimin e vendit.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit e eventit theksuan se iniciativa të tilla po ndihmojnë në fuqizimin e ekosistemit teknologjik dhe në promovimin e Kosovës dhe Shqipërisë si vende me potencial në rritje për investime dhe inovacion.
Samiti global PowerToHR sjellë sesione interaktive dhe folës nga kompani lider si Google, Microsoft, OpenAI, Zoom, Rakuten Viber dhe Amazon./kp