Konjufca zhvillon vizitë zyrtare në Irlandë: Kërkon mbështetje për rrugën evropiane të Kosovës

Ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka zhvilluar vizitën e tij të parë bilaterale në Irlandë, ku është takuar me ministren për Punë të Jashtme dhe Tregti të Irlandës, Helen McEntee. Konjufca tha se në takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës…

Lajme

06/05/2026 13:31

Ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufca, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka zhvilluar vizitën e tij të parë bilaterale në Irlandë, ku është takuar me ministren për Punë të Jashtme dhe Tregti të Irlandës, Helen McEntee.

Konjufca tha se në takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke vlerësuar miqësinë dhe vlerat e përbashkëta mes dy vendeve.

Ai theksoi se u pajtuan që raportet bilaterale duhet të zgjerohen dhe të intensifikohen, ndërsa kërkoi edhe mbështetjen e Irlandës për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në një kohë kur Irlanda pritet të marrë presidencën e BE-së.

Sipas Konjufcës, në takim është theksuar se Kosova nuk duhet të mbetet jashtë procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë vizitës, ai është takuar edhe me anëtarë të Komitetit për Çështjet e Bashkimit Evropian në Parlamentin irlandez, si dhe me senatorin Pat Casey, ku është rikonfirmuar mbështetja parlamentare e Irlandës për rrugën evropiane të Kosovës. /Lajmi.net/