“Dosja voluminoze e ZPS-së dhe situata aktuale e institucioneve në Kosovë mund të kenë ndikuar” Mehmeti Selimi flet për shtyrjen e aktgjykimit nga Specialja
Paneli i trupit gjykues në Hagë ka kërkuar 60 ditë shtesë, si kohë për shpalljen e aktgjykimit në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Kësisoj nga Gjykata Speciale sot edhe u konfirmua se aktgjykimi që parashihej të shpallej më 19 maj është shtyrë edhe…
Lajme
Paneli i trupit gjykues në Hagë ka kërkuar 60 ditë shtesë, si kohë për shpalljen e aktgjykimit në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Kësisoj nga Gjykata Speciale sot edhe u konfirmua se aktgjykimi që parashihej të shpallej më 19 maj është shtyrë edhe për dy muaj të tjerë deri më 20 korrik.
Gjyqtarët e Speciales kishin kohë deri më 19 maj 2026 të publikonin verdiktin, por, sipas legjislacionit në fuqi të Dhomave të Specializuara, nëse gjyqtarët kanë nevojë për kohë shtesë, mund ta shtyjnë dhënien e vendimit edhe për 60 ditë të tjera.
Përmes një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Angela Griep ka thënë se afati është zgjatur edhe për 60 ditë të tjera, pasi sipas saj rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë.
“Trupi Gjykues ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026. Paneli konstatoi se rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, duke përmendur vëllimin e provave dhe kompleksitetin e procedurave. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur”, ka thënë Griep.
Ajo ka thënë se 20 korriku nuk është afati i fundit se sa kjo çështje mund të shtyhet, por se ajo mund të zgjas edhe më shumë, pasi sipas saj shpallja e aktgjykimit mund të shtyhet përsëri.
“Paneli shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër përkatës në kohën e duhur”, ka thënë Griep.
Për këtë vendim, për lajmi.net sot ka folur bashkëshortja e njërit nga të akuzuarit në Hagë, Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti Selimi e cila gjithashtu ka qenë edhe deputete e Kuvendit të Kosovës nga VV gjatë legjislaturave të fundit.
Ajo ka thënë se ky vendim nuk ka qenë i papritur për ta, pasi ka thënë se nga Gjykata Speciale dhe Prokuroria nuk kanë pritur asgjë më të mirë.
“Prokuroria deri tash edhe Zyra e Administrimit të Çështjeve të Brendshme Administrative të Gjykatës Speciale nuk kanë treguar kooperim me palët mbrojtëse deri më tash, dhe si familjar ne kemi parë që masat kanë qenë shumë të ashpra ndaj katërshes së UÇK-së”, ka thënë Mehmeti Selimi për lajmi.net.
Ajo ka treguar edhe sfidat që i kanë pas në vazhdimësi si familjar për vizita e takime, ku siç tregon ajo kanë pasur shumë limitime e censurime në komunikime dhe vizita, për çka i ka bërë ata që të mos presin një vendim më të mirë tani.
Mehmeti Selimi ka thënë se edhe dosja shumë voluminoze që Zyra e Specializuar i ka dërguar Gjykatës mund të ketë qenë arsyeja për marrjen e këtij vendimi.
“Duke pas parasysh që Prokuroria ka dorëzuar një dosje voluminoze tash për katërshen e UÇK-së te Gjykata, gjykatësit dhe trupit gjykues i nevojitet shumë kohë për t’i shqyrtuar të gjitha ato dosje që ata i kanë dorëzuar që janë nuk e di sa mijë faqe”, ka thënë ajo.
Përveç kësaj, sipas Mehmeti-Selimit, edhe situata aktuale në Kosovë mund të ketë qenë një arsye për këtë vendim të marrë.
“Normalisht që edhe situata në Kosovë e afekton edhe marrjen e vendimit nga Gjykata. Besoj unë për shkak se siç e kam thënë edhe para disa ditësh në Kuvendin e Kosovës se mos-pasja e institucioneve stabile në Kosovë normalisht që e afekton edhe marrjen e vendimit atje. Kur iu thash kolegëve të mi deputetë nga PDK-ja se në Kosovë duhet të kemi institucione stabile që ata të kthehen sigurt, e që mos-votimi i Presidentit do ta shtyej vendimin atje, kolegët e mi nuk e besuan. Kjo tash doli si fakt që duke mos pas institucione stabile në Kosovë shtyhet vendimi atje”, ka shtuar ajo për lajmi.net.
Shqipe Mehmeti Selimi ka thënë se zgjatjet e tilla nuk janë aq të rëndësishme sa është që aktgjykimi përfundimtar të jetë lirues.
“Është e rëndësishme që fundi i procesit atje dhe vendimi përfundimtar i trupit gjykues të jetë lirues, se për këto shtyrjet e vogla ne jemi mësuar tashmë që nuk ka pas asnjë masë lehtësuese ndaj katërshes së UÇK-së. Edhe pse shtyhet një muaj, dy muaj, qoftë që unë mendoj deri në vjeshtë, e rëndësishme është që vendimi të jetë lirues dhe ata të kthehen sa më parë në shtëpi”, ka thënë ajo.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi po gjykohen në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që të katër të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi i kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe u deklaruan përsëri të pafajshëm në deklaratat përmbyllëse në shkurt.
Prokurorët, ndërkohë, kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara.
Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë prej vitit 2020.
Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.
Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.
Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.
Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbanin përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e kanë mohuar fajësinë. /Lajmi.net/