“Shqetësues fakti se pse Thaçi dhe të tjerët s’mund ta presin një vendim të tillë në shtëpitë e tyre” Bajraktari kritikon Specialen për zgjatjen e afatit për aktgjykim

Gjykata Speciale në Hagë, ka marrë vendim për të shtyrë afatin për shpalljen e aktgjykimit në rastin e krerëve të UÇK-së edhe për 60 ditë. Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e Speciales, Angela Griep e cila me këtë rast ka deklaruar po ashtu se 20 korriku nuk nënkupton se në atë kohë do…

Lajme

06/05/2026 12:07

Gjykata Speciale në Hagë, ka marrë vendim për të shtyrë afatin për shpalljen e aktgjykimit në rastin e krerëve të UÇK-së edhe për 60 ditë.

Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e Speciales, Angela Griep e cila me këtë rast ka deklaruar po ashtu se 20 korriku nuk nënkupton se në atë kohë do të shpallet aktgjykimi duke paralajmëruar se mund të ketë shtyrje tjetër.

Angela Griep theksoi gjithashtu se paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik, “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

“Trupi Gjykues ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026. Paneli konstatoi se rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, duke përmendur vëllimin e provave dhe kompleksitetin e procedurave. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër përkatës në kohën e duhur”, ka thënë Griep.

Në lidhje me këtë vendim, për lajmi.net ka folur avokati Ardian Bajraktari i cili ka thënë se ky vendim ndikon në cenimin e njeriut prej parimeve bazë të procedurës penale.

“Vendimi për zgjatjen e afatit, ndikon në masë të konsiderueshme në cenimin e njeriut prej parimeve bazë të procedurës penale siç është gjykimi brenda një kohe të arsyeshme, pavarësisht faktit se një vendim i tillë ka bazë dhe mbështetje në rregulloren e procedurës së provave, saktësisht në rregulloren 159”, ka thënë Bajraktari.

Ai e ka shprehur me shqetësim faktin se Hashim Thaçi dhe të tjerët vazhdojnë të jenë ende në paraburgim.

“Megjithatë, për mua vazhdon të mbetet shqetësues fakti se pse Thaçi dhe të tjerët nuk mund ta presin një vendim të tillë në shtëpitë dhe familjet e tyre, për faktin se masa e paraburgimit si masa më e ashpër nuk ka asnjë bazë të justifikueshme ligjore që t’iu vazhdohet të njëjtëve”, ka thënë ai.

Bajraktari për lajmi.net është shprehur optimist në lidhje me shpalljen e aktgjykimit, pasi sipas tij akuzat e Prokurorisë nuk kanë arrit të argumentohen.

“Mbi bazën e ecurisë që kemi parë, besoj dhe pritshmëritë janë tejet legjitime që të jetë vendim pafajësie për faktin se akuzat e Prokurorisë nuk kanë arrit të argumentohen. Për më tepër, pafajësisë së tyre i ka kontribuar në masë të madhe, dëshmia e dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilët përveç se kanë qenë kredibil dhe shumë relevant. në mendjen time i kanë kundër-argumentu shumë bindshëm, të kundërtën e asaj qe pretendon prokuroria në të gjitha pikat e aktakuzës për sa i përket katërshes së UÇK-së”, ka shtuar ai.

Që të katër të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi i kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe u deklaruan përsëri të pafajshëm në deklaratat përmbyllëse në shkurt.

Prokurorët, ndërkohë, kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë prej vitit 2020.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbanin përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e kanë mohuar fajësinë. /Lajmi.net/