MINTI intensifikon kontrollet në tregun e produkteve të qumështit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe në bashkëpunim me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka intensifikuar kontrollet në tregun e produkteve të qumështit me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjes së transparencës në treg. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, janë…

Lajme

05/05/2026 18:14

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe në bashkëpunim me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka intensifikuar kontrollet në tregun e produkteve të qumështit me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjes së transparencës në treg.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, janë realizuar gjithsej 7 inspektime në 4 qytete të ndryshme të Kosovës.

Si rezultat, 6 raste janë aktualisht në procedurë, ndërsa 1 rast është mbyllur. MINTI rikujton të gjithë operatorët ekonomikë që veprojnë në fushën e prodhimit, importit, distribuimit dhe shitjes së produkteve të qumështit se janë të obliguar të respektojnë kërkesat ligjore në fuqi, përkatësisht Ligjin nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Ligjin nr. 2004/18 për Tregtinë e Brendshme.

Ministria bën me dije se çdo produkt duhet të ketë deklaracion të qartë, të lexueshëm dhe të dukshëm në gjuhët zyrtare, duke specifikuar saktë përbërjen e tij, përkatësisht nëse është: produkt me bazë shtazore (100%) (dairy), produkt me bazë bimore (plant-based), apo produkt me bazë të qumështit pluhur.

Subjektet që ushtrojnë shitje me pakicë janë të obliguara të sigurojnë ndarjen dhe prezantimin e qartë të produkteve në rafte, sipas kategorive përkatëse: produkte me bazë shtazore, produkte me bazë bimore, produkte me bazë të qumështit pluhur. MINTI, përmes IQMT-së, do të vazhdojë me intensifikimin e inspektimeve edhe në ditët në vijim, në përputhje me kompetencat ligjore për mbikëqyrjen e tregut, me qëllim të parandalimit të praktikave mashtruese dhe garantimit të informimit të drejtë për konsumatorët.

“Në rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore për etiketimin dhe ndarjen fizike të produkteve, operatorët ekonomikë do të përballen me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.

Njëkohësisht, ftohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të raportojnë çdo parregullsi të evidentuar në treg, përfshirë mungesën e klasifikimit apo deklarimit të qartë të përbërjes së produkteve, duke ofruar dëshmi përkatëse (si fotografi), përmes: numrit të telefonit: +383 (0) 46 311-000 (Viber), ose adresës elektronike: [email protected]” thuhet në njoftimin e MINTI-t.