Haxhiu i dërgon letër BE-së, i kërkon të dërgojnë Misionin Vëzhgues të Zgjedhjeve për ato të 7 qershorit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka dërguar letër Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas. Përmes kësaj letre, ajo ka ftuar Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për…

Lajme

05/05/2026 17:15

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka dërguar letër Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Përmes kësaj letre, ajo ka ftuar Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të caktuara për datën 7 qershor 2026.

“Në letrën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, ka nxjerrë vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, ajo ka ftuar Bashkimin Evropian që, përmes një Misioni të pavarur Vëzhgues, të përcjellë dhe vlerësojë zhvillimin e zgjedhjeve. U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se Kosova e ka vlerësuar vazhdimisht rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e institucioneve demokratike dhe në avancimin e standardeve zgjedhore.

“Ftesa për dërgimin e Misionit Vëzhgues është vazhdim i kësaj praktike institucionale dhe shprehje e përkushtimit të Kosovës për një proces zgjedhor të hapur, transparent dhe të besueshëm”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës. /Lajmi.net/