LDK hap letrat për zgjedhjet, Lushaku-Sadriu përmend edhe Vjosa Osmanin në skenarin e bashkimit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur mbledhje të kryesisë së partisë, ku në fokus ka qenë diskutimi për zhvillimet politike dhe përgatitjet për zgjedhjet e 7 qershorit. Pas mbledhjes, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, bëri të ditur se në takim janë trajtuar çështje që lidhen me organizimin partiak dhe hapat e ardhshëm…

Lajme

05/05/2026 16:09

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur mbledhje të kryesisë së partisë, ku në fokus ka qenë diskutimi për zhvillimet politike dhe përgatitjet për zgjedhjet e 7 qershorit.

Pas mbledhjes, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, bëri të ditur se në takim janë trajtuar çështje që lidhen me organizimin partiak dhe hapat e ardhshëm të subjektit politik.

“Mbledhje me kryetarë të degëve për të diskutuar për aktualitetin politik edhe për gjithçka tjetër që lidhet me këtë. Janë çështje partiake”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu theksoi se pjesë e diskutimeve ka qenë edhe ideja e bashkimit të spektrit të djathtë politik, duke përmendur edhe mundësinë e përfshirjes së figurave të tjera.

“Ne diskutojmë për të gjitha çështjet që lidhen me partinë tonë, me listën tonë. Në këtë kuptim diskutojmë edhe për ardhjen e Vjosës, eventuale, për bashkimin e madh të së djathtës që kemi diskutuar që sa kohë dhe e shohim si domosdoshmëri për Kosovën. Në ndërkohë, për gjithçka tjetër dalim pas mbledhjes”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se qëndrimet zyrtare të partisë tashmë janë bërë publike, ndërsa theksoi se çështjet lokale dhe ato qendrore duhet të trajtohen ndaras.

“Gjithçka që kemi dashur me thënë është thënë në deklaratën zyrtare të LDK-së. Ndryshe, Përparimi është kryetar i Prishtinës edhe i takon atij me dhanë edhe përgjegjësi edhe me marrë vendime në sajë të kompetencave që ai i ka”, deklaroi Lushaku-Sadriu.

Duke folur për mundësitë e koalicioneve, ajo theksoi se prioritet aktual i LDK-së mbetet niveli qendror dhe zgjedhjet e ardhshme.

“S’kanë lidhje këto të dyja. Ju lus, çështjet komunale janë të ndara, çështjet qendrore janë çështje qendrore. Ne sot si temë diskutimi do të kemi rrugën tonë përpara dhe bashkimin e së djathtës për nivelin qendror. Dhe koalicionet dhe gjithçka tjetër që është për nivelet lokale, e nuk jemi veç në Prishtinë po edhe në shumë komuna tjera duke qeverisur ose duke bashkëqeverisur me ndonjë parti tjetër, janë çështje lokale për të cilat sot nuk është prioritet”, tha ajo. /Lajmi.net/